Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë reagoi në lidhje me vdekjen e efektives së Forcave të Armatosura, Zarife Hasanaj. Në një postim në rrjetet sociale, ambasada shpreh ngushëllimet për familjen dhe miqtë e ushtares që humbi jetën në krye të detyrës gjatë një misioni të NATO-s në Letoni.
Gjithashtu ata i urojnë shërim të shpejtë dy ushtarëve të tjerë që mbetën të plagosur.
“Shtetet e Bashkuara shprehin ngushëllime për familjen dhe miqtë e Zafire Hasanaj, ushtaren e vrarë sot në krye të detyrës gjatë misionit të NATO-s në Letoni dhe i urojmë shërim të shpejtë dy ushtarëve shqiptarë të plagosur. Ne nderojmë sakrificën e saj”, shkruan në Facebook ambasada.
Nëntetare Zarife Hasanaj humbi jetën mëngjesin e kësaj të hëne nga shpërthimi i disa municioneve të paplasura në bazën e NATO-s në Letoni. 32 -vjeçarja ishte pjesë e kontigjentit shqiptar, në kuadër të mbrojtjes kolektive të aleancës. 2 efektivët e tjerë shqiptarë, Klodian Tanushi dhe Julian Kapaj, mbetën të plagosur./abcnews.al