Vasili: Qeveria ka bërë gabime të rënda, nuk duhet të kursejë mjetet mbrojtëse për mjekët

schedule11:55 - 13 Korrik, 2020

schedule 11:55 - 13 Korrik, 2020

Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili në një konferencë për mediat u shpreh se situata e pandemisë në vend është keq menaxhuar.

Vasili u shpreh se testimi masiv do të ndihmonte në parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Po ashtu ai theksoi se infektimi i mjekëve dhe humbja e tyre është një dëshmi tronditëse dhe qeveria nuk duhet të kursejë mjetet mbrojtëse.

“Qeveria ka bërë gabime shumë të rënda që po i paguajmë edhe me jetë njerëzish. Situata nuk mban më. Duhen vendosur në efiçencë të plotë e gjithë struktura spitalore”, tha Vasili.

Deklarata e plotë:

Të nderuar qytetarë e qytetare.

Situata e pandemisë, sigurisht po shkon në një rrugë të cilën nuk do donte askush ta shikonte të tillë pasi rastet e reja sot siç i keni konstatuar janë 117. Pra, duke krahasuar me pikun e pandemisë 28 raste të arritur në prill disa muaj më parë, kemi një rritje me 400% të rasteve.

Është shumë e qartë që e gjithë mënyra sesi është administruar kjo pandemi që nga fillimi ka qenë e gjitha mbi spontanitetin, mbi mos marrjen e masave efektive, mbi mos vlerësimin e atyre hapave të domosdoshëm, të cilat bëjnë të mundur që të kesh një situatë në kontroll dhe të kesh mundësi të dalësh me sukses prej saj dhe një seri mosveprimesh të rënda siç ishte mos testimi, mospërdorimi i maskave pasi në fillim që vetë kryeministri i vendit që tha që maskat nuk duhen përdorur, mossigurimi i aspiratorëve në kohë, për qëndrimi i gjithë problematikës vetëm tek numri 127, mos aktivizimi i mjekëve të shëndetit parësor, mjekëve të familjes, pra një armatë e shpërndarë në gjithë vendin për të pasur sa më parë në evidencë situatën.

Dhe mbi të gjitha mos pajisja gjerësisht e mjeteve mbrojtëse e strukturave mbrojtëse spitalore dhe parësore pasi vija e parë e zjarrit ndodhet atje ku është kontakti i parë me të sëmurin, e ku vija fundore, sigurisht ku beteja bëhet mjaft më e fortë është pikërisht në spital, u ngatërruan me njëra-tjetrën dhe mjekët që janë në vijën e parë në kontaktin e parë mbetën tërësisht të pambrojtur derisa u sugjeruan dhe banalitete të tjera, duke prerë çarçafë në vend të maskave dhe duke deziinfektuar duart me raki. Kjo situatë dhe ky spontanitet, papërgjegjshmëri ka bërë pikërisht këtë situatë të re.

Nuk është e vërtetë dhe nuk ka asnjë të dhënë shkencore dhe profesionale që të mbështesë faktin që meqenëse Shqipëria filloi hapjen, ndaj dhe rastet u shtuan. Shqiptarët kanë sy dhe veshë, shikojnë fare mirë sesi u hapën shtete që kishin mijëra raste në ditë, siç ishte Italia fqinje, Spanja, Gjermania me numra të frikshëm, por asnjë shqiptar nuk ka parë që nga 9-10 mijë raste në ditë që kishte Italia pas hapjes të kishte 40 mijë, 4 fish siç ndodh në Shqipëri. Ka ndodhur e kundërta.

Gjermania që kishte mijëra raste në ditë dhe mjaft viktima, sot ka rreth 140 raste, gati sa Shqipëria dhe vetëm një humbje jete, në një shtet me më shumë se 80 milion banorë. Po e njëjta gjë në Spanjë, anë e mbanë globit. Sigurisht testimi i gjerë në ato vende, marrja e masave efektive, krijojnë mundësinë se cila ishte kurba, ecuria e këtij fenomeni me ngjitjen maksimale dhe daljen e natyrshme, që ndodhte pikërisht kur rastet fillonin të rralloheshin.

Pra qeveria ka bërë gabime shumë të rënda që për fat të keq po i paguajmë edhe me jetë njerëzish. Vetëm dje ka pasur 4 viktima. Situata nuk mban më. Duhen marrë masa të menjëhershme, në radhë të parë dhe mbi të gjitha, duke vendosur në eficencë të plotë të gjitha strukturat shëndetësore shqiptare, e cila duhet të jetë në alert.

Jo vetëm spitali të nderuar qytetar, por edhe qendra shëndetësore më e largët.

Kontakti i një qytetar që mund te jetë mbartës i Covidit mund të jete në cdo pjesë të territorit. Ndaj masa kryesore është pajisja me mjete mbrojtëse të bollshme të cilësisë shumë të mirë, në mënyrë që gjithë kjo armatë të jetë në efiçensë të plotë.

Infektimi i mjekëve dhe humbja e jetës së tyre është një dëshmi tronditëse që kjo masë nuk mund të presë më.

Nuk ka se pse qeveria bën PPP dhe koncensione dhe të kursejë mjetet mbrojtëse ku edhe mjeku i fundit i qendrës shëndetësore duhet të jetë i pajisur me maskën dhe dezinfektant. Së dyti qeveria duhet të marrë menjëherë masat për subvencionimet e cmimit të e maskave në mënyrë që ato të blihen me cmiminin më të lirë të mundshëm dhe të arritshëm për të gjitha shtresat e popullatës.