Varianti i ri në Shqipëri, Tomini: Sinjale për “Omicron” që në 5 dhjetor

schedule19:59 - 23 Dhjetor, 2021

schedule 19:59 - 23 Dhjetor, 2021

Sinjalet për variantin “Omicron” të Covid në vendin tonë janë evidentuar që në 5 dhjetor. Drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Eugena Tomini e ftuar në studion e Radar Informativ dha detaje për identifikimin e këtij varianti. Tomini theksoi se bëhej fjalë për persona që kishin pasur kontakte me kontaktin primar në Kroaci. Sipas saj dy të infektuarit nuk janë hospitalizuar.

“Realisht mostrat që janë dërguar në bazë të një protokolli të ISHP, në bazë të dedektimeve të rasteve të konfirmuara Covid, dërgohen në laboratorët e referencës, përkojnë me periudhën e mostrave të javës së 47-48. Ndërkohë nga ana epidemiologjike ne vlerësojmë situatën e javës 50, javën që lamë pas. Të gjitha mostrat pozitive, me sinjale, me dyshime përkundrejt Covid janë dërguar gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë që nga data 5 dhjetor është marrë një sinjal mbi një rast, ose me mbi disa raste të dyshuara që kanë qenë kontakte të rastit primar që është konfirmuar  në Kroaci. Jo rast primar Omicron, por një rast i dedektuar nga hetimi epidemiologjik atje. Ndërkohë kontaktet të gjithë të një takimi pune janë evidentuar sipas shpërndarjes gjeografike që takimi ka pasur.

Është kryer hetimi epidemiologjik nga specialistët e terrenit përkundrejt personave që kanë qenë kontakte, me informacionet që konfirmuan për të qenurit kontakte me rastin në Kroaci. Ndërkohë, nga hetimi katër raste qenë 4 të vaksinuar me dy dozat, një i shëruar dhe një rast vetëm me një dozë. Pas hetimi u evidentua edhe një rast tjetër që ishte po pjesë e takimit. Rasti ishte i izoluar. Kishte pasur shenja të mëhershme, të nivelit mesatar. Nuk janë raste të hospitalizuar. Kontaktet e ngushta rezultuan Omicron”,-tha ajo.

Drejtoresha e ISHP theksoi më tej se nëse do të kishte edhe më shumë raste me variantin e ri do të ishte reflektuar në pozitivitetin.

“Prezenca e dy rasteve të para nga ana shkencore ka vlera sinjifikative. Por kjo nuk do të thotë se prezenca e tyre është përgjithësuese edhe për situatën aktuale. Do të kishim reflektim të pozitivitetit. Parashikohet që kontaktet fillestare të kenë qenë në javën e fundit të nëntorit”, tha ajo. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!