Vaksina e Oksfordit me rezultate pozitive, OBSH: Një lajm i mirë por kemi ende punë përpara

schedule19:48 - 20 Korrik, 2020

schedule 19:48 - 20 Korrik, 2020

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përshëndetur sot progresin e bërë në rrugën drejt vaksinës kundër koronavirusit. Megjithatë, agjencia shtoi se mbetet ende punë për t’u bërë në luftën kundër përhapjes së Covid-19.

Duke folur nga Gjeneve, Dr. Mike Ryan, drejtor i programit të emergjencave në OBSH, i përgëzoi shkencëtarët e Universitetit të Oksfordit që po merren me zhvillimin e vaksinës për Covid-19.

“Ky është një rezultat pozitiv, por mbetet ende shumë rrugë për t’u bërë,” u shpreh ai.

Ryan shtoi se tashmë teste klinike në një shkallë më të gjerë duhen bërë. Deri më tani, në zhvillim janë të paktën 23 vaksina potenciale për Covid-19.

“Por është gjë e mirë që të shohësh më shumë të dhëna dhe më shumë produkte po lëvizin në këtë fazë shumë të rëndësishme të zbulimit të vaksinës,” shtoi ai më tej.

Lexo edhe: Studimi:Vaksina e përgatitur nga Universiteti i Oksfordit sjell përgjigje imunitare ndaj Covid-19

Drejtuesi i përgjithshëm i OBSH-së, Dr. Tedros Ghebreyesus Adhanom gjithashtu theksoi se çdo vaksinë e suksesshme duhet të jetë e arritshme për të gjithë.

Ai tha se shumë vende po shohin avantazhet e bërjes së vaksinës “një e mirë publike globale”, por disa janë “duke shkuar në drejtim të kundërt”.

“Kur nuk ka konsensus, në të vërtetë ajo mund të jetë e disponueshme nga ata që kanë para dhe ata që nuk mund ta përballojnë, mund të mos kenë qasje tek vaksinat,” tha Adhanom.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH tha gjithashtu se “ndërsa kërkimet për vaksinat vazhdojnë, ne duhet të vazhdojmë të shpëtojmë jetë”. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!