Të tilla kupa, vajzat vlonjate kanë mbajtur shpesh ndër duar vitet e fundit.
Deri më sot numërohen 21 Kupa të Shqipërisë dhe 25 tituj kampion veç trofeve në Superkupë apo aktivitete të tjera.
Elona Hasanaj, një talent në basketbollin vlonjat, deri pak muaj më parë trajnere e ekipit dhe tashmë drejtuese e klubit shumësportësh, tregon objektivin e këtij viti.
“Ajo që ne na mban gjallë dhe jemi duke luftuar vazhdimisht vit pas viti, është që në Vlorë të mbetet titulli kampion, ky është objektivi ynë i parë. I dyti është liga unike.”
Partizani është rivali i përjetshëm por ekipe po aq të forta janë edhe Tirana, Teuta e Vllaznia.
“Ekipet marrin pjesë në kampionat me lojtare shumë të mira.”
Trjaneri Agim Dalipi thotë se vajzave vlonjate po u jepet me shumë minutazh në fushë se lojtareve të huaja.
“Bazën e një skuadre nuk e formojnë lojtaret e huaja, bazën ne duhet ta kemi me lojtare vendase.”
Tea Memushi, e cila i dha fitoren ekipit të saj në ndeshjen e fundit përballë Partizanit i gëzohet triumfit, por thotë se sfidat janë të shumta në vijim.
Mes lojtareve të Flamurtarit është edhe Selena, nga Mali i Zi, por e martuar me një shqiptar.
Në Vlorë është gjendur mirë ndërsa ekipin e konsideron shtëpinë e saj.
Stërvitjet e përditshme, disiplina, energjia e mirë në grup janë ndër arsyet që vajzat e Flamurtarit kanë fituar dhjetëra trofe dhe çdo vit synojnë tituj të tjerë./abcnews.al