Studiuesja dhe juristja, Gelanda Shkurtaj ka zbuluar në emisionin “Pas Mesnate” se si lindi studimi i saj ndaj kanuneve. Ajo ka treguar se shkak u bë puna në Prokurinë e Përgjithshme në Itali, ku hasi termin ‘kanun’ për herë të parë.
Gelanda theksoi se keqpërdori i Kanunit e shtyu që të kryente këtë studim. Ajo tha se shkëndija lindi kur lexoi se vajzat e trafikuara shqiptare kishin deklaruar se janë mall në duart e burrave.
“Shkëndija lindi shumë vite më parë, duke punuar në Prokurorinë e Përgjithshme të Genova në Itali. Isha këshilltare ligjore aty dhe mu desh të ndiqja një proces shumë të rëndësishëm kundër mafias shqiptare dhe ky proces u titullua “Kanun”. Kujtoj dosjet e mëdha të akuzës që mu dhanë për t’u analizuar atëherë dhe menjëherë më ra në sy termi ‘kanun’. Edhe pyeta direkt dhe përgjigja më dha një pikë kthese. Sipas tyre, sipas vajzave shqiptare që i ushtroheshin veprës penale të shfrytëzimit të prostitucionit, kjo ndodhte sepse sipas kanunit shqiptar, femra ishte një mall në duart e burrit dhe burri mund të bënte çfarë të donte me këtë mall.
Kjo ishte të themi, pika e shkëndijës dhe nga ai moment unë i bëra një lloj betimi vetes që do t’i shkoja deri në fund. Gjithsesi nuk më rezultonte një gjë e tillë. Me kthimin në Shqipëri unë u doktorova në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Edhe profesor Nebi Bardhoshi më besoi studimin e Kanunit. Kështu që Kanuni merr shkas nga ky episod që ndodhi në Genova dhe zhvillohet studimi i tij me studime doktorale në Akademinë e Shkencave”, u shpreh Gelanda./abcnews.al