“Ushqim në shtëpi për të varfërit”, vendimi i qeverisë i gjeti të papërgatitur, të moshuarit kërkojnë ndihmë

schedule18:28 - 19 Mars, 2020

schedule 18:28 - 19 Mars, 2020

Familja Topi jeton në periferi të qytetit të Librazhdit. Gjyshe Minia jeton me dy nipat e mitur dhe nusen e djalit.

Vendimi i qeverisë për të mos dalë nga shtëpia i gjeti te papërgatitur pasi jetojne ne skamje.

Gjyshja tregon se nuk ka asnjë njëri që ta ndihmojë për të plotësuar nevojat e familjes. Ajo kërkoi ndihmë dhe mundi të sigurojë pak ushqime.

“Me sakrifica nuk kemi çfarë të bëjmë, nusja është pa punë. Djali ka ikur në Greqi, ka tre javë, edhe atje pa punë kështu si ne”, u shpreh e moshuara.

Pamundësi për tu furnizuar me ushqime kanë edhe shumë familje të tjera në këtë zonë.

“Jemi katër veta në familje. Të ardhurat i sigurojmë vetëm me një ndihmë ekonomike. Kjo nuk është zgjidhje, por këtë kemi për momentin”, u shpreh një tjetër qytetar.

Përgjegjësi social, Rexhep Shaka pranë Bashkisë Librazhd u shpreh se kjo është vetëm faza e parë, pasi ndihmat për familjet në nevojë do të vijojnë deri sa vendi të kalojë situatën e krijuar nga COVID – 19.

“Ndajmë ushqim për personat në nevojë. Për shkak të masave të marra që njerëzit të mos jenë afër, shërbimi i ushqimit do të jepet në shtëpi”, u shpreh ai.

Deri tani në Librazhd kanë përfituar ndihma 70 familje në nevojë kryesisht në zonat rurale, të cilëve Bashkia u ka shpërndarë ushqime të gatshme./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!