Ura e Kovaçit në Voskopojë rrezikon të shembet

schedule15:31 - 20 Qershor, 2018

schedule 15:31 - 20 Qershor, 2018

Ura në hyrje të Voskopojës rrezikon të mos funksionojë më. Ajo është dëmtuar nga shkarjet dhe prurjet e ujërave, por edhe nga personat që kanë gërmuar aty pranë me shpresën për të gjetur thesare të fshehura nëntokë.

Historia e saj nisi 300 vjet më parë, kur lidhi banorët e Korçës me krahinën e Voskopojës dhe të Lekasit. Por shumë shpejt rrezikon të shembet. Ura e Kovaçit, në hyrje të Voskopojës u kthye në shënjestrën e thesarkërkuesve.

Strukturat mbajtëse janë dëmtuar nga heqja e gurëve, kurse prurjet e ujërave kanë gërryer bazamentin e objektit 300-vjeçar. Kurse ata që besonin në legjenda për thesar kanë ndërhyrë në pjesën e harqeve, duke bërë që objekti të degradohet plotësisht.

Edhe pse ura e Kovaçit, e ndërtuar tre shekuj më parë, mbart vlera historike dhe kulturore, paradoksalisht ky objekt nuk është përfshirë ende në listën e monumenteve të kulturës. Në fakt, kjo është edhe arsyeja, pse objekti as është mbrojtur dhe as është restauruar gjatë viteve.

Përfshirja në listën e trashëgimisë kulturore të urës së Kovaçit, do të mundësonte ndërhyrje të specializuar për të mos lejuar shembjen dhe më tej humbjen e një tjetër objekti me vlera historike. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!