UNICEF: Fëmijët në internet në mosha të vogla

schedule15:48 / 26/11/2018

Fëmijët po fillojnë të përdorin internetin në mosha gjithnjë e më të vogla. Psikologët këshillojnë prindërit të kontollojnë të miturit gjatë kohës që qendrojnë në internet, në mënyrë që të mos bien pre e abuzimeve të ndryshme.

Sipas një raporti të UNICEF, mosha mesatare kur fëmijët bien në kontakt me internetin për herë të parë është 8-9 vjeç. Raporti evidenton se 14% e fëmijëve të anketuar kanë përjetuar online diçka që i ka mërzitur ose bezdisur. Këtë fakt e konfirmojnë edhe psikologët, që shtojnë se fëmijet në internet mund të bien pre e abuzimeve të ndryshme.

Edmond Dragoti, psikolog: Informacioni që jepet në internet nuk është i klasifikuar, i kontrolluar dhe i verifikueshëm nga moshat e rritura, ose institucionet kompetente. Kjo e bën internetin të rrezikshëm për fëmijet, të cilët mund të rrezikohen, pasi ata kanë shumë dëshirë për të marrë çdo lloj informacioni. Interneti është një portë ku mund të përfshihen lojërat e fatit, bixhoz ose kumar.

Një problem tjetër lind nga qëndrimi për një kohë gjatë i fëmijës në internet, sipas psikologut, është shkëputja e tij nga realiteti dhe libri.

Edmond Dragoti, psikolog: Nga ana tjetër qëndrimi për një kohë të gjatë në internet i bën fëmijët të varur prej tij, që i bën të neglizhojnë prindin, shkollën dhe librin, kjo bën që ata të varësohen ndaj kënaqësisë së jetës.

Nga ana tjetër fëmijët shpesh pohojnë se nuk kanë asnjë kontroll nga prindërit gjatë kohës që shohin internet, gjë që nuk duhet të ndodhë sipas psikologut.

Edmond Dragoti, psikolog: Së pari të jenë të vëmendshëm ndaj përdorimit të internetit nga ana e fëmijëve, ta ndjekin vazdimisht. Prindi vetë duhet të japë modelin e përdorimit të kufizimit të internetit që të kultivojë te fëmija ndjenjën e masës.

Varësia nga internet po bëhet evidente, në mosha gjithmonë e më të vogla. Kjo sipas studiuesve ul aftesitë kreative të fëmijëve, si dhe ndikon negativisht në gjendjen e tyre emocionale, apo në shëndetin fizik dhe mendor. /abcnews.al

schedule15:48 / 26/11/2018