Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka komentuar në konferencën e përjavshme me mediat, faktin që më 28 korrik ai nuk ishte i ftuar në eventet e organizuar me rastin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA-ve.
Berisha deklaroi se ishte i nderuar që nuk ishte pjesë e një organizimi të tillë krah figurave si Edi Rama dhe Taulant Balla. Lideri i demokratëve theksoi se ai vetë e nderoi ditën mes mirditorëve dhe u ndje shumë i privilegjuar për këtë.
“Zonja Kim duke mos më ftuar më nderoi. Kjo për faktin se ajo ka dhënë me qëndrimet e saj, ka dëmtuar më shumë, bashkë me Edi Ramën dhe mafien e Sorosit, më shumë se kushdo tjetër imazhin e shkëlqyer që kanë pasur shqiptarët për SHBA. U ndjeva i privilegjuar që unë nderova ngjarjen midis mirditorëve. Shqiptarët më tradicionalë të të gjitha trojeve. Në këtë kontekst, unë mendoj se jo nderojnë, por turpërojnë Shqipërinë figura si Rama, Balla apo të tjerë. Ky është qëndrimi im dhe këto janë mendimet e mia. Asgjë s’ma lëkund mua besimin te SHBA si vend i madh i lirisë, si partneri më strategjik. Po asgjë s’më lëkund mua në betejën kundër Soros.
Ndërsa, sa i përket koncertit në shesh, Sali Berisha falenderoi administratën, që sipas tij, bojktoi në masë eventin edhe pse siç tha ai, atyre u kërkua që të ishin prezent me detyrim.
Më lejo të falenderoj, dhjetëra, qindra mijëra punonjës, rrogëtarë buxhetorë që e braktisën dhe e e shndërruan në një koncert thuajse funebër. Mbetën duke përqafuar njëri-tjetrin për të ngushëlluar për braktisjen masive që i bëri administrata detyrimit për të marrë pjesë në atë anti-miting. Falenderoj mediat që përparsuan në të gjitha ekranet e tyre, takimin e njerëzve të lirë në Mirditë. Bisedim mes të barabartëve. Me anti-mitingun kishte një kontrast të jashtëzakonshëm.” /abcnews.al/