Unaza e Madhe, banorët e “Kodrës së Priftit”: Projekti i rrugës u devijua

schedule18:33 - 20 Nëntor, 2021

schedule 18:33 - 20 Nëntor, 2021

Banorët e Kodrës së Priftit , banesat e të cilëve preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës, pretendojnë se është bërë një devijim i gjurmës së rrugës.

Ata kanë dyshime se në këtë sipërfaqe toke do të ndërtohen komplekse pallatesh. Sipas banorëve, gjurma e vjetër e projektit prekte vetëm 9 shtëpi, ndërsa  për ndërtimin e rrugës me planin e ri do të duhet të shemben 41 benesa dhe mbeten pa strehë 60 familje.

 “Shqetësimi jonë është devijimi i segmentit të unazës, loti 4 nga projekti Adil Çarçani në projektin e ri që ka bërë ARRSH. Tek kjo toka bosh është 90% të saj është e pashfrytëzuar. Është lënë qëllimisht se do të ndërtohej Unaza e Madhe e Tiranës. Por kjo është devijuar 60 metra në lindje. Gjurma e vjetër prekte 9 banesa nga të cilat 3 ishin të braktisura. Ndërkohë me projektin e ri preken 40 ndërtesa me 60 familje pasi janë ndërtesa dykatëshe.”

Sipas banorëve, para se të ndërtonin shtëpitë, i janë drejtuar edhe institucioneve për të marrë informacion nëse prekeshin nga projekti i ndërtimit të unazës.

“Unë jam interesuar në zyrën urbanistike të bashkisë me kë thënë që në këtë gjurmën këtu mos ndërtoja dhe kam devijuar. Tani me del që prekem nga ky projekt dhe i bëjmë thirrje autoriteteve ta rishikojnë këtë projekt.”

Banorët nuk janë kundra ndërtimit të unazës, por kërkojnë që zbatohet projekti fillestar që nuk prek banesat e tyre. Mes lotësh, thonë se do i mbrojnë ato me çdo çmim.

“Do të hipi në çati bashkë më burrin ditën që do vijnë të më prishin banesën.”

“I kemi ndërtuar me gjak.”

E projektuar si ide që në vitet 80’, kur kryeministër i Shqipërisë ishte Adil Çarcani, Unaza e Madhe e Tiranës nisi ndërtimin në vitin 1996 me segmentin rrugor Pallati me Shigjeta-Sheshi Shqiponja. Unaza e Madhe Tiranës është 27 kilometra e gjatë, ndërsa përfundimi i saj i plotë në vitin 2023,  do të lidhë kryeqytetin me gjithë rrugët dalëse kombëtare. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!