I ftuar në studion e ABC News kreu i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, përsëriti ftesën ndaj opozitës për votimin e porpozimeve për ndryshimin e ligjit të magjsitratëve. Në të kundërt ata që do penalizohen janë studentët e rinj, thekson Manja, duke mohuar çdo mundësi diskutimi për zgjidhjen me dakordësi të këtij problem të krijuar nga ngërçi ku është futur reforma në drejtësi.
“Është një riskedulim afatesh të përcaktuara në ligj”.
Kështu e thjeshton kreu i komisionit të ligjeve Ulsi Manja shpjegimin e propozimit për ndryshimin e ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokuorëve në nenet që prekin emërimet dhe caktimet e magjsitratëve të sapo diplomuar.
Bëhet fjalë për dispozitat kalimtare të ligjit, parashikimi i të cilave, në pritje të organeve të reja të drejtësisë, ka skaduar duke futur në lojë nenin që përcaktimin e kuotave të Shkollës së Magjistraturës ia ngarkon pikërisht Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe atij të Prokurorisë.
“Ne nuk e kemi krijuar ende KLGJ dhe KLP që bën edhe emërimin dhe përcakton kuotat”.
Këtu lind edhe problemi. Për opozitën, që refuzon votimin e propozimit socialist për zgjidhjen e situatës, përcaktimi me ligj i kuotave për magjsitratë, si dhe rikthimi pa afat i tagrit emërues dhe caktues në duart e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe Prokurorit të Përgjithshëm, sot i përkohshëm, për ta është minimalisht kthim mbrapa. Në retorikë, kjo nuk kënaq as të parin e ligjeve në parlament edhe pse fton opozitën ta votojë.
“Edhe unë nuk jam shumë i lumtur ti emëroj KLD ekzistuese apo prokurori i përgjithshëm, por ka ndryshuar mekanizmi i emërimit. Sot magjistratët në tre preferenca zgjedhin një dhe KLD është e detyruar t’i emërojë”.
Një zgjidhje për këtë pakënaqësi, ia parashtroi në komisionin e ligjeve përfaqësuesja e EURALIUS Agnes Bernhard kur propozoi ndarjen e nenit 160 në dy pjesë, në mënyrë që organet e vejtra të drejtësisë të mund vetëm të emërojnë dhe jo të caktojnë në pozicione magjistratët e rinj. Por porpozimi i misionit EURALIUS mbeti vetëm në tavolinë dhe ligji kaloi në komision vetëm me votat e mazhorancës, të pamjaftueshme tashmë për ta miratuar në parlament. Për Ulsi Manjën ky është taksirati i magjistratëve të rinj.
“Do presim, do humbet një vit i studentëve dhe do presim KLGJ dhe KLP për të përcaktuar kuotat. Taksirati i magjistratëve”.
Nuk dihet sa kohë do duhet për ngritjen e këtyre organeve, të cilat sipas Kushtetutës janë krijuar prej 1 viti e gjysmë. Ajo që dihet është se mungon vullneti politik për rregullimin e këtij afati të shkelur kushtetues, si dhe për mundësinë e një zgjidhje të përbashkët në tryezë, sa kohë opozita parashtron kushtet e saj të cilat mazhoranca i konsideron joserioze./abcnews.al