Disa ditë më parë ministrja e Arsimit njoftoi uljen e mesatares për degët e mësuesisë nga 7.5 në 6.5. Ky vendim i marrë në mbledhjen e qeverisë më 26 maj ka sjellë reagime të shumta dhe revoltë. Megjithatë, i ftuar në ABC Live, eksperti i arsimit Albano Zhapaj thotë se ky nuk është një hap që mund të cënojë “cilësinë” e mësuesve që dalin nga universitetet.
Zhapaj shpjegoi se mesatarja është ulur për pranimet në ciklin Bachelor dhe për të kaluar në mësuesi nuk mjafton trevjeçari. Në profesionin e mësuesit të çon masteri dhe për këtë jepet një numër matrikullimi i veçantë që nuk i lejon studentët me mesatare të ulët që të ndjekin mësuesinë në degë të caktuara, si histori, gjeografi, gjuhë-letërsi e kështu me radhë.
Pra, nëse një student me mesatare 6.5 zgjedh historinë si degë në ciklin Bachelor, mund të vazhdojë masterin për guidë turistike, por jo për mësuesi.
“Para pesë vitesh u rrit mesatarja në 7.5 dhe duke bërë këtë, në programin Bachelor të historisë për shembull, ata që nuk e kishin këtë mesatare u dogj mundësi që të bënin këtë Bachelor dhe më pas të ndiqnin mastera të tjerë. U penalizuan për 5 vite, u boshatisën universitetet, degët filluan të mbylleshin. Nuk mundet një vend që mos t’i lejojë vetës të mos ketë njerëz të studiuar në të gjithë fushat,” shpjegon eksperti i arsimit.
Rritja e mesatares para pesë vitesh, sipas tij thjesht bëri që në shkollat e mesme të rriten numri i notave fiktive.
“Unë jam i pari që e kam kundërshtuar. U argumentua se do të ulen kuotat se sa më pak mësues të nxjerrim aq më të mirë do jenë, ndërkohë që e kundërta është e vërtetë. Bëri që në shkolla të mesme të rritet nota fiktive, se duhet mesatarja për t’u futur në shkollë të lartë. Diferenca nga një notë në tjetrën, përmban brenda 7-8 mijë maturantë të mbeten pa shkollë. Këta ose të emigrojnë ose të aplikojnë në privat.”
Për Albano Zhapajn, kriteri i mesatares në tërësi është diskriminues dhe penalizues për studentët. Sipas tij, duhet të jetë në dorë të universiteteve që të zgjedhin studentët, jo në bazë të mesatares por të kritereve të tjera të pranimit. /abcnews.al/