UEFA vendos në maj, “qeveria” e futbollit gati të rikthejë në “San Siro” finalen e Champions League

schedule13:36 - 30 Prill, 2024

schedule 13:36 - 30 Prill, 2024

Inter-Benfica, Feyenoord-Celtics, Bayern Munich-Valencia e Real Madrid-Atletico Madrid. Këto janë katër finalet e fundit, që “mitiku” italian i “San Siro” ka mbajtur përgjatë historisë së futbollit evropian, histori që nis, që në vitin 1965, me “Zikaltërit” që fituan në shtëpinë e tyre, për të vijuar me finalet e viteve 1970, 2001 e 2016, por duket se finalet në Itali do të rikthehen sërish.

Të paktën kështu është shprehur zëvendësekratari i organit më të lart qeverisës në botën e futbollit, në Evropë, UEFA, Giorgio Marchetti, i cili për mediat italian u shpreh se “mitiku” i Milanos do presë një prej finaleve, të edicionit 2025-2026 ose atij pasardhës, teksa zbuloi se vendimi përfundimtar mbi këtë çështje do të merret në fundin e muajit maj.

“Finalja e Champions League në Milano në vitin 2026 apo 2027? Ka shanse të mira, në fund të fundit, ‘San Siro’, pavarësisht se nuk është stadiumi më modern, është një ikonë e futbollit ndërkombëtar, i njohur nga të gjithë sportistët, veçanërisht nga tifozët e futbollit. Vendimi përfundimtar duhet të merret në fund të majit. Italia është e angazhuar në procesin e kandidimit, do të shohim se si do të përfundojë”,- deklaroi Marchetti. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!