UEFA vazhdon “kundërsulmin” ndaj presidentit të FIFA, Gianni Infantino, ndërsa tani kërcënon me veprime ligjore lidhur me planin tashmë të braktisur për të shitur aksione te investitorë privatë për organizimin e garave. Udhëheqja e Infantinos ishte sfiduar tashmë publikisht nga konfederatat e Evropës dhe të Amerikës së Veriut, Qendrore dhe Karaibeve.
Por tani, siç raporton BBC, Uellsi u bë federate e parë që tërhoqi publikisht mbështetjen për kandidaturën e Infantinos për presidencën në zgjedhjet e marsit të ardhshëm.
Federata Angleze e Futbollit po përgatitet të bëjë të njëjtën gjë. Sipas “The Telegraph”, UEFA i dërgoi një letër Infantinos duke e paralajmëruar se po “shqyrton në mënyrë aktive ndërmarrjen e veprimeve ligjore lidhur me planin e propozuar nga FIFA dhe çështjet që lidhen me të”. UEFA shtoi se kërkon “masa të menjëhershme për të identifikuar, lokalizuar dhe ruajtur të gjitha dokumentet dhe informacionet e ruajtura në mënyrë elektronike, të përshkruara në këtë njoftim, të cilat janë në posedimin, kujdesin ose nën kontrollin e FIFA.
Këto detyrime lindin pavarësisht nga çdo politikë e brendshme për ruajtjen e të dhënave që mbahet nga ju ose organizata juaj dhe kanë përparësi ndaj çdo politike rutinë për shkatërrimin ose fshirjen e dokumenteve që përndryshe do të zbatohej,” thuhet në letrën, ku vihen re notat kërcënuese.
Kërkesa e UEFA-s për të gjitha dokumentet që lidhen me planin e investimit përfshinte “email-e, mesazhe të çastit në të gjitha aplikacionet, korrespondencë me shkrim dhe procesverbale të mbledhjeve”, si dhe ato që përfshijnë “çdo drejtues, punonjës, anëtar komiteti, konsulent ose agjent të FIFA-s, apo çdo shoqatë anëtare, konfederatë, transmetues, sponsor ose institucion financiar të FIFA-s”. Lidhur me afatin e 19 shtatorit për një vendim mbi planin, UEFA shtoi se dëshironte të ruante dokumentet “që lidhen me strukturën e pagesave për shoqatat anëtare të FIFA-s, përfshirë hartimin, modelimin, bazën ligjore, miratimin dhe komunikimet me shoqatat anëtare”.


