Në luftë dhe në dashuri lejohet gjithçka. Dhe në kapitullin e ri të përplasjes së fortë mes UEFA dhe Gianni Infantino gërshetohen të dyja historitë.
Pas zbulimeve të fundit se presidenti i FIFA kishte promovuar dhe më pas i kishte siguruar një marrëveshje me gjashtë shifra për largimin nga puna të së dashurës së tij të supozuar kur ishte sekretar i përgjithshëm i UEFA, kjo e fundit kërkon të gërmojë më shumë në këtë çështje.
Qeveria europiane e futbollit po shqyrton mundësinë e nisjes së një hetimi mbi sjelljen e Gianni Infantinos gjatë mandatit të tij 16-vjeçar në organizatë, pas zbulimeve se një grua, me të cilën ai dyshohet se kishte një lidhje jashtëmartesore, kishte marrë pagesa nga fondet e institucionit.
Po ashtu, duke përdorur fuqinë e tij, Infantino kishte paguar edhe një master për administrim biznesi për gruan në fjalë.
Sipas asaj që raporton “The Telegraph”, në UEFA duan të dinë saktësisht se si janë kryer pagesat dhe nëse lidhja e pretenduar ka ndikuar në vendimet lidhur me personelin gjatë kohës që 56 vjeçari zvicerian shërbente si Sekretar i Përgjithshëm. Ata kërkojnë gjithashtu që sjellja e Infantinos të shqyrtohet në tërësinë e saj.
Me anë të një deklarate të publikuar nga FIFA, Infantino hodhi poshtë akuzat, duke pretenduar se këto lajme ishin të pavërteta dhe synonin të dëmtonin imazhin e tij.
Nga ana tjetër, në reagimin e parë, UEFA tha se ishte në dijeni të pagesave për një grua, por që ato ishin bërë në përputhje me kontratat e saj me të gjithë punonjësit.
Por tani situata ka ndryshuar dhe qeveria europiane e futbollit kërkon të hapë një tjetër front në “luftën” kundër Gianni Infantino.


