Ngjarja tragjike e dy netëve më parë që mori katër jetë për rërën dhe shezlonget ka ngjallur reagim të madh në rrjet për viktimën më të pafajshme të kësaj masakre. Musaen Zeneli ishte kamarier në ditën e parë të punës, vetëm 20-vjeç dhe me dëshirën që në sezonin veror të mblidhte sa më shumë bakshishe për t’i ardhur në ndihmë të ëmës që e kishte rritur e vetme.
Një plumb i mori atij jetën dhe ëndrrat duke shkaktuar dhimbje tek personi i tij i shtrenjtë. Historia e tij ka bërë që shumë persona të kthejnë kokën pas për të ndihmuar sadopak nënën e tij.
Së fundmi një gjest solidariteti kanë treguar edhe kolegët e tij në Shkodër. Rehyl Toska, një nga kamarierët më të vjetër të Shkodrës ka hapur një nismë që të gjithë bakshishet që mbledh sot bashkë me kolegë të tjerë t’ia dhurojnë nënës së 20-vjeçarit. Ai shprehet se kjo nuk do e ringjallë djalin, por do e lehtësojë sadopak dhimbjen e familjarëve të tij.
‘Përshëndetje unë jam Rehyl Toska, një kamarier në Shkodër. Marr shkas nga ngjarjet e djeshme që ka ndodhur në Shkodër ku mbeti I vrarë një koleg I joni në plazhin e Velipojës. I bëj thirrje menaxherëve, kamarierëve, administratorëve që të bashkohen me nismën time që bakshishet e sotme shkon për Muserinin.
Atë bakshish që ai nuk arriti me realizu, sadopak me ia mbledh ne. Ju pres ose pranë ambienteve të lokalit ku punoj unë, ose numrin tim të kontaktit që t’i japim familjes së djalit, t’ia lehtësojmë. Ju përshëndes të tanëve, faleminderit”, thotë ai. m.v/abcnews.al