U vetëdeklarua si i PD-së, Nikolla: Berisha funksionon sot si deputet pa grup parlamentar

schedule13:03 - 8 Tetor, 2021

schedule 13:03 - 8 Tetor, 2021

Kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla është duke mbajtur pasditen e së premtes një tryezë bashkëbisedimi me gazetarët.

Gazetarja e ABC, Esiona Komoni e pyeti kryeparlamentaren Nikolla nëse Kuvendi si administratë do ta caktojë Sali Berishën siç është vetëdeklaruar se i përket Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, apo do të ketë ndonjë referencë tjetër për të.

Në përgjigjen e saj, Nikolla tha se duke qenë se është lënë jashtë grupit, ish-kryeministri Berisha funksionon sot si deputet pa grup parlamentar.

Nikolla sqaroi se çdo deputet deklaron me shkrim se në cilin grup do të bëjë pjesë, por më pas janë Grupet Parlamentare ato që vendosin.

“Do të ketë vetëm referencën që ndiqet me rregulloren e Kuvendit, i cila në nenin 15, pika 5 thotë që çdo deputet deklaron me shkrim se në cilin grup do të bëjë pjesë. Por më pas është vendimmarrja e grupit, dhe deklarimi në frymë…Që janë kryetarët e Grupeve Parlamentare të cilët bëjnë listimin dhe deklarimin e anëtarëve të grupit. Dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike e ka nxjerrë jashtë deputetin Sali Berisha dhe sot ai funksionon si një deputet pa grup parlamentar. Dhe nuk është vetëm janë tetë deputetë që funksionojnë pa grup parlamentar.” 

Gjithashtu, gjatë bashkëbisedimit me gazetarët zonja Nikolla bëri të ditur që është duke u diskutuar mundësia për pranimin e gazetarëve edhe në seancat plenare, si dhe për prezencën e kamerave për një minutazh të caktuar. /abcnews.al/