U paraqit në SPAK, Gonxhe-gazetarëve: Më vjen keq t’ju zhgënjej, nuk ka lidhje asnjë institucion

schedule13:26 - 25 Korrik, 2022

schedule 13:26 - 25 Korrik, 2022

Kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe nuk tregoi asnjë detaj kur u pyet nga gazetarët për “vizitën” e tij të sotme në SPAK. Pas qëndrimit prej një ore në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion, Gonxhja tha se u pyet për verifikimin e një situate dhe sipas tij, nuk bëhet fjalë për asnjë lloj çështjeje që mund të përfshijë tendera apo ministrinë.

“Respekt të gjithëve ju se është 41 gradë. Nuk më pyeti njeri dhe s’keni pse vraponi. S’ka lidhje DPSHTRR me arsyen pse isha, për një çështje të tretë se u pyeta për sqarim. Është çështje që nuk ka lidhje fare me Ministrinë që varem, as me rrugët as me DPSHTRR. As nuk erdha nga dera e pasme, thjesht ju pashë që vrapuat ndaj për respekt. Megjithatë unë përfaqësoj një figurë publike, nuk mund të jap detaje. U pyeta për verifikim të një situatë të caktuar. Nuk ka lidhje me asnjë tender, asnjë lloj gjëje dhe me asnjë institucion.”

Kujtojmë se Gonxhe u pa në ambientet e SPAK-ut gjatë orëve të para të ditës së sotme teksa ka hyrë nga dera kryesore. Arsyeja e prezencës së tij në SPAK nuk dihet ende pasi, siç u shpreh edhe ai vetë, nuk mund të thotë detaje për shkak të hetimeve. /abcnews.al/