Akuza për falsifikim formulari, Apeli shpall të pafajshëm ish-gjyqtarin e Gjykatës së Lartë

schedule11:53 - 27 Shtator, 2022

schedule 11:53 - 27 Shtator, 2022

Gjykata e Apelit ka shpallur të pafajshëm ish-anëtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza.

Thanza u shpall fajtor nga Gjykata e Shkallës së Parë për falsifikim të vulave dhe stampave për mos deklarimin e një dënimi në Itali.

Procesi i vettingut zbuloi një të fshehtë 19 vjeçare të gjyqtarit. Në vitin 1999 ai ishte dënuar për “vjedhje” në Itali, dëmin që nuk e kishte  deklaruar në formularin e dekriminalizimit. Hetimi i KPK-së zbuloi probleme edhe me pasuritë e gjyqtarit.

NJOFTIM PER MEDIAN

Referuar interesimit të mediave, Gjykata e Apelit Tiranë, informon sa më poshtë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, me datë 12.07.2018 i ka kërkuar Presidencës së Republikës Formularin e Vetëdeklarimit për Garantimin e Integritetit të Persona që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione Publike, plotësuar nga anëtari i Gjykatës së Lartë z. A.TH, i cili dyshohet të këtë kryer veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”. Për shkak se nuk ka deklaruar në Formularin e Vetëdeklarimit vendimin penal të Gjykatës së Pizas, Itali.

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u zhvillua gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale A.TH, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, të parashikuar nga neni 190/1 të K.Penal.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 1411, datë 31.05.2019 ka vendosur:

-Deklarimin fajtor të të pandehurit A.TH për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, të parashikuar nga neni 190/1 i Kodit Penal dhe në baze të kësaj dispozite, dënimin e tij me 9(nëntë) muaj burgim.
-Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, Gjykata urdhëron pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, duke e vënë në provë të pandehurin A.TH për një periudhë kohe prej 18(tetëmbëdhjetë) muaj, me kusht që të mbajë kontakte të rregullta me Shërbimin vendor të Provës Tiranë.

-Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale A.TH, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, deklarimin e pafajshëm për veprën penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Genti Shala dhe anëtarë znj. Emona Muçi dhe znj.Irida Kacerja, me vendimin nr. 853, datë 26.09.2022 vendosi:

– Ndryshimin e Vendimit Nr. 1411, date 31.05.2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ne kete menyre:
-Deklarimin e pafajshem te te pandehurit A.Th, akuzuar se ka kryer veper penale te parashikuar nga Neni 190/1 te K/Penale.

Tiranë, 26.09.2022
GJYKATA E APELIT TIRANË

/Abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!