Karafil Shena është një ndër aktorët më të mirë shqiptarë, i cili tani i është dedikuar vreshtarisë.
I ftuar në “ABC e Mëngjesit”, ai bëri një rrëfim të rrallë për gjithë karrierën dhe jetën e tij. Shena zbuloi se me aktrim u morë, pasi dështoi në muzikë dhe nuk e pranuan në Liceun Artistik.
“Unë shkova pas një dështimi në muzikë dhe më thoshin që këndoja shumë mirë. Shkova në Lice për kanto dhe nuk fitova. Mua më dukej vetja i talentuar në atë kohë se në shkollë më shumë këndoja se recitoja. Dështimin e marrë vesh në komitetin ekzekutiv të asaj kohe në Sarandë. I mërzitur takoj një figurë të shquar dhe ai më thotë që në Durrës do të hapet një konkurs për aktor. Kthehemi në komitet dhe më thonë se çfarë duhet të dish, një poezi, një fabulë, por kur t’i mësoja unë për 15 ditë. Edhe ato që dija në shkollë recitova, shkova në Durrës dhe atje ishin emrat më të njohur”, tregoi Karafili.
Më pas ai është ndalur dhe te dashuria që ka për filmin, krahasuar me teatrin. Shena ka thënë se i mungojnë shumë xhirimet dhe ndjehet shumë i emocionuar.
“Unë tani kam pak emocione dhe pa dyshim që më merr malli për filmin. Teatri është natë për natë dhe ka energji tjetër, ndaj është aq magjik. Po aq magjik për mua është filmi, sepse të thotë ti do luash tani dhe duhet të jesh i mirë tani dhe jo nesër. Unë mbaroj punë që me tre dublat e para, të tjerat bëj sa të duash. Regjisori mund ta dojë për arsyet e tij në montazh, por unë punën time e kam bërë”, rrëfeu aktori.
Më tej, sa i përket rolit të famshëm të Fotaqit, Shena zbuloi se në atë kohë takoi dikë që e frymëzoi dhe soli karakterin e tij, pavarësisht se nuk i përshtatej natyrës.
“Unë u ndava për çështje parimore se ajo nuk njihte Dante, Molierin. Atëherë tingëllonte qesharake, ndërsa tani mund të ndahesh për çështje të tjera. Ai rol ishte unik dhe ndodhi vetëm një herë”, shtoi aktori./abcnews.al