U kthye nga Kina, dyshimi për një grua të prekur nga koronavirusi rezultoi negativ

schedule17:32 - 29 Janar, 2020

schedule 17:32 - 29 Janar, 2020

Në Shqipëri nuk ka asnjë person të prekur nga koronavirusi. Mjekët e shërbimit infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë ,dyshuan për një grua që 10 ditë më parë ishte kthyer nga Kina, por shefja e shërbimit infektiv, Najada Çomo tregoi për “ABC News” se analizat e kryera në Institutin e Shëndetit Publik rezultuan negative.

“Është shtruar në shërbimin infektiv një grua në moshën 40-vjeçare, e cila ka pasur një histori udhëtimi në Kinë. Rezulton se është infektuar nga virusi i gripit por sot gëzon shëndet të plotë dhe nuk ka rrezik për jetën e saj dhe as për popullatën përreth”, tha Çomo.

Ndërkohë në zbatim të rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka marrë masat për tu mbrojtur nga depërtimi i virusit të ri.

Në spitale është shtuar mbikqyerja e sëmundjeve të rënda respiratore ndërsa në pikat kufitare janë shtuar kontrollet.

“Në aeroportin “Nënë Tereza” njësia e mjekëve është 24 orë në shtatë ditë të javës dhe ka një procedurë të unifikuar dhe e njëjta procedurë është edhe për pikat kufitare”, theksoi  Manastirliu.

Shqipëria nuk ka linja fluturimi direkt nga Kina, por përmes aeroporteve të tjera, 24 orët e fundit 17 pasagjerë shqiptarë dhe të huaj kanë udhëtuar nga Pekini dhe Shangai drejt Tiranës. Pas kontrollit të kryer, gjendja shëndetësore e tyre paraqitet e mirë.

“Këta njerëz ndiqen edhe nga strukturat e shëndetit publik. Po vazhdojmë ti ndjekim sepse duam të respektojmë 14 ditëshin maksimal që ka periudha e inkubacionit”.

Koronavirusi prek rrugët e frymëmarrjes dhe përhapet përmes kontaktit të ngushtë me personat e prekur. Mjekët thonë se Shqipëria mbetet vend me rrezik të ulët  nga virusi i ri megjithkëtë apelojnë për higjenë të shtuar personale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!