U kapen 992 kg marijuanë në Vlorë, kush janë të arrestuarit, mes tyre dy ukrainas

schedule13:28 - 8 Gusht, 2022

schedule 13:28 - 8 Gusht, 2022

Policia e Shtetit në një deklaratë për mediet së bashku me kolegët e Guardia di Finanza ka dhënë detaje në lidhje me operacionin e zhvilluar në Vlorë ditën e djeshme në vendin e quajtur “Gjiri i Arushës.”

Tre skafistë kanë shkëmbyer sasinë e marijuanës në det, ndërsa lëviznin me një skaf dhe e ngarkuan në një velierë e cila po i priste në det të hapur.

DETAJET E OPERACIONIT

Në operacion u përshinë rreth 250 forca policore, të cilat zhvilluan kontrolle dhe ndjekje nga toka, deti dhe nga ajri me helikopter të GDF-së dhe Frontex-it. Kontrollet u finalizuan me bllokimin e mjetit lundrues që kishte lëndën narkotike dhe arrestimin e personave që kishin organizuar trafikimin e saj.

Si rezultat i operacionit, nga shërbimet e Policisë së Shtetit u bë i mundur identifikimi i personave që dyshohet se kishin transportuar lëndën narkotike, me 3 mjete lundruese, drejt një mjeti tjetër lundrues në thellësi të detit.

Nga Policia e Vlorës u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Arbër Saraseli, 31 vjeç, Saverjo Imeraj, 22 vjeç dhe Qemal Pekmezi, 19 vjeç, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Gregor Likaj, 33 vjeç, të katërt këta banues në Vlorë.

Gjithashtu, gjatë operacionit u kapën në flagrancë, në ujërat italiane, nga Guardia di Finanza, shtetasit Bychkovi Serhii , 43 vjeç dhe Senkevych Serhii, 62 vjeç, të dy me shtetësi ukrainase.

Shtetasit e arrestuar në Vlorë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, më datë 07.08.2022, rreth orës 15:00, dyshohet se kanë transportuar lëndën e dyshuar narkotike marijuanë, me 3 skafe drejt një mjeti tjetër lundrues, në thellësi të ujërave të detit Jon dhe më pas e kanë nisur atë drejt Italisë.

Si rezultat i zhvillimit të operacionit të përbashkët, nga autoritetet e Guardia di Finanza është kapur në ujërat italiane, mjeti lundrues me të cilin transportohej lënda narkotike. Shërbimet e GDF-së, gjatë kontrollit në bordin e mjetit lundrues, kanë sekuestruar një sasi prej 992 kg lëndë të dyshuar narkotike marijuanë, e ndarë në 153 pako.

Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Saverjo Imeraj, në Vlorë, shërbimet e DVP Vlorë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, sekuestruan 3 mjete lundruese (skafe), 3 aparate celulare dhe 2 automjete.

Nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë vijon puna për dokumentimin e plotë të këtij rasti, kapjen dhe vënien në pranga të personave të tjerë të implikuar në trafikimin e lëndës narkotike.

Ky operacion është tregues i qartë i bashkëpunimit mjaft të mirë me GDF, Zyrën e Interforce së Policisë Italiane dhe Oficerët e Policisë Italiane pranë QNOD, si dhe i masave të marra nga Policia e Shtetit, për parandalimin dhe goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike.

/Abcnews.al/ 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!