U fut pa leje në spital, gjobitet me 500 mijë lekë: E pësojnë keq edhe 157 qytetarë që dolën në rrugë

schedule11:59 - 30 Mars, 2020

schedule 11:59 - 30 Mars, 2020

Policia ka vendosur një numër të madh gjobash ndaj atyre që kanë shkelur urdhër ndalimin.

Krahas drejtuesve të mjeteve dhe këmbësorëve, për herë të parë është gjobitur edhe një person që ka hyrë pa leje në ambientet e Urgjencës së QSUT pa leje për të parë një të afërmin e tij.

Policia bën me dije se ky person është gjobitur me 500 000 lekë vetëm se u fut në spital pa leje.

“Është ndëshkuar me masë administrative 500 000 lekë, 1 shtetas, pasi është futur pa leje në ambientet e urgjencës mjekësore, për të parë familjarin e tij”, njofton policia duke shtuar se janë gjobitur me 100 000 mijë lekë 157 persona.

Gjithashtu tetë drejtuesve të mjeteve i është hequr patenta si edhe bllokuar makina.

Njoftimi i plotë

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, janë evidentuar 8 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.

Në të gjithë vendin, nga strukturat e Policisë janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 157 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Është ndëshkuar me masë administrative 500 000 lekë, 1 shtetas, pasi është futur pa leje në ambientet e urgjencës mjekësore, për të parë familjarin e tij.

Në të gjithë vendin janë konstatuar 7 njësi tregtie që nuk kanë zbatuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masa administrative, në bazë të nenit 3, pika 7 e Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020.

Nga sot e në vazhdim nuk do të lejohet asnjë këmbësor të dalë për shëtitje, aktivitet sportiv apo për motive të tjera, përveç emergjencave mjekësore dhe atyre që shkojnë në punë, të cilët duhet të kenë me vete kartën e identitetit dhe vërtetimin e punës nga punëdhënësi.

Për të bërë pazar në qendrat urbane, një pjesëtar i familjes duhet të aplikojë në e-Albania apo në numrin falas 55155, për t’u pajisur me autorizim, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa.

Shërbimet e Policisë, nëse do konstatojnë këmbësorë me mungesë të email-it apo mesazhit konfirmues nga e-Albania, do të aplikojnë gjobat ndaj tyre.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, për të bërë të mundur parandalimin e përhapjes së COVID-19.