Gjatë rrëfimit në emisionin “Pas Mesnate”, prestigjatorja Pranvera Agolli, e bija të madhit Telat Agolli është ndalur dhe te historia e saj e dashurisë me Pavli Sallatën.
Ajo ka zbuluar se u fejuan dhe nuk u takuan për 7 vite, pasi Pavli shkoi për specializim në Kinë dhe babin e Pranverës e burgosën.
Pranvera tregoi dhe se si Pavli ia rrëmbeu zemrën, ndonëse ajo ishte në moshë të vogël.
“Të them të drejtën me Pavlin punoja, ishte një djalë shumë i rregullt, shumë familjarë, por unë isha shumë e vogël që të gjykoja se çfarë ishte Pavli. Isha thjesht një artiste që kisha një regjim në familje, babai na porosiste, mos merrni, mos çoni fjalë dhe ne këtë kishim, shkonim në shtëpi, nuk kishte muhabet cirku më.
Edhe ndërkohë, shikimet… Shikimet, filloi mosha, mbarova shkollën dhe Pavli më thotë do të vijë në familje, unë u çudita sepse nuk kisha ndonjë dashuri përpos respektit si artist. Ai ishte i papërtueshëm dhe si mos t’i hidhje sytë te Pavli, vinte buzëqeshja vetë te ai njeri, por heshtja ishte shumë e madhe, 7 vjet vajti shkëputja me të. Ai ishte për specializim në Kinë, ndërsa mua ku nuk më çuan. Më çuan në kombinat tekstil, më fermë, kam punuar 3 vjet atje, kombinat ushqimor, në të gjitha vendet ku kam punuar kam dalë e dalluar dhe i thoja pse nuk ma nxirrni fletën e lavdërimit. Më thoshin, nuk mundemi, ditën që ka dalë babi nga burgu, atë ditë ma kanë vënë fletën e lavdërimit në kombinat tekstil.
Pavli vinte më takonte, por ishin njerëzit që e ruanin dhe nuk na linin”, u shpreh ajo./abcnews.al