U arrestua për “mashtrim”, gjykata liron Ish-Prefektin

schedule11:12 - 3 Mars, 2018

schedule 11:12 - 3 Mars, 2018

Gjykata e Tiranës liroi nga qelitë e paraburgimit ish-prefektin e Fierit, Bujar Hasa në këmbim të një garancie pasurore prej 1.3 milionë lekë. I njëjti vendim i bllokoi atij pasaportën dhe kartën e identitetit.  Ish-zyrtari u arretua nga operacioni i koduar “Kanadezi”për mashtrimim me pasoja të rënda të dy personave.

Bujar Hasa, ish-prefekti i Fierit i arrestuar nga operacioni policor i koduar “Kanadezi” pas dyshimeve për mashtrimin me pasoja të rënda në dëm të dy personave qëndroi vetëm 48 orë ne qeli.

Paraditen e së shtunës Gjykata e Tiranës vendosi lirimin e tij nga paraburgimi. Gjyqtari Ahmet Metaliaj pranoi kërkesën e avokatëve të Hasës për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” të dhënë në mungëse për të me masën e “garanisë pasurore” në vlerën 1.3 milionë lekë.  Në vendim gjykata urdhëronte ndalimin e daljes jashtë shtetit për të dysharin Hasa, si edhe sekuestrimin e pasaportës dhe kartës së tij të identitetit.

Ish-prefekti i qarkut Fier u arrestua të enjten, në zbatim të një mase sigurie “arrest në burg”. Hetimi ndaj tij kishte nisur 8 muaj më parë.

Ai u kallëzua nga dy persona, një prej të cilëve shqiptaro-kanadez. Ata pretendonin se Hasa u kishte përvetësuar përmes mashtrimit një shumë prej 260 mijë dollarësh dhe 50 mijë euro. Prokuroria ka ngritur dyshime se ish-zyrtari i lartë ka konsumuara elementë të veprës penale të “mashtrimit me pasoja të rënda” dhe “falsifikimit të dokumenteve”, të dyja në bashkëpunim. Pas prangosjes nga policia e Tiranës se ish-prefektit të Fierit, Bujar Hasa, reaguan edhe dy avokatët e tij. Ata e cilësuan të padrejtë dhe tendecioze arrestimin e Hasës, pasi sipas tyre policia dhe prokuroria nuk kanë asnjë prove të qenësishme. Bujar Hasa ka qenë Prefekt i qarkut të Fierit në vitet 2009-2011.