Turqia frenon ambiciet e Greqisë

schedule23:25 - 23 Tetor, 2018

schedule 23:25 - 23 Tetor, 2018

Turqia ka vendosur t’i bëjë kontrast ambicieve të Greqisë për zgjerimin e ujërave territoriale. Pas paralajmërimeve të ish-ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, Ankaraja zyrtare ka deklaruar se do të përdorë edhe opsionin ushtarak për të mbrojtur interesat e saj.

Turqia paralajmëroi të martën Greqinë se nuk do të tolerojë ndryshimin e kufirit detar të saj, duke shkaktuar menjëherë një reagim të Athinës, që deklaroi se do të vendosë vetë se si të ushtrojë të drejtën e sovranitetit. Deklaratat nga të dyja palët erdhën pak ditë pasi ish-ministri i Jashtëm grek deklaroi se Greqia kishte në plan të zgjeronte ujërat e saj territoriale deri në 12 milje në perëndim të saj.

Ujërat territoriale janë një çështje e ndjeshme mes dy fqinjëve dhe aleatëve në NATO, që ndahen nga deti Egje dhe që ndërkohë kontestojnë hapësirën ajrore mbi Qipron e ndarë etnikisht dhe të drejtën për kontrollin e pasurive natyrore. Ankaraja zyrtare paralajmëroi se nuk do ta përjashtojë opsionin ushtarak për të mbrojtur interesat e saj.

“Është e pamundur të tolerohen hapa të tillë në një kohë kur nuk ka një marrëveshje dypalëshe që përcakton kufijtë e të dyja vendeve”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke, Hami Aksoj.

Ndërsa homologu i tij në Athinë tha se të drejtat e Greqisë nuk do të diktohen nga palë të treta.

“Zgjerimi i zonës bregdetare është një e drejtë ligjore dhe sovrane e pamohueshme e Greqisë, në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme helene.

Ish-ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, që dha dorëheqjen javën e kaluar, deklaroi të shtunën se Athina ka në plan të zgjerojë ujërat e saj territoriale në detin Jon, një lëvizje që sipas tij nuk i prek ujërat e detit Egje, në brigjet lindore dhe jugore të Greqisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!