Policia turke ka sekuestruar në një operacion një sasi lënde radioaktive me vlerë disa dhjetëra milionë dollarë, ndërsa ka arrestuar 4 persona, anëtarë të një grupi që po përgatiste trafikimin e saj.
Policia turke ka bërë me dije se ka sekuestruar 1.4 kg lëndë radioaktive gjatë një operacioni anti-kontrabandë në kryeqytetin Ankara. Lënda, e njohur si Kalifornium, u gjet gjatë kontrollit të kryer në një makinë në lagjen periferike Pursaklar të qytetit. Sipas televizionit turk NTV, katër persona që ndodheshin brenda mjetit janë arrestuar. Policia ka deklaruar se të dyshuarit besohet të jenë pjesë e një grupi që kishte planifikuar të shiste material radioaktiv me vlerë 70 milionë dollarë. Për momentin nuk dihet prejardhja e Kalifornium, por lënda është dërguar në Agjencinë Turke për Energjinë Bërthamore për ekzaminime të mëtejshme. Materiali thuhet se prodhohet vetëm në Shtetet e Bashkuara dhe Rusi. Ai përdoret në reaktorët bërthamorë, në zbuluesit metalikë dhe gjithashtu në mjekësi, për të trajtuar disa forma të kancerit. Elementi u sintetizua për herë të parë nga një laborator universitar në shtetin e Kalifornisë në vitin 1950, prej nga ka marrë dhe emrin./abcnews.al