Turqi-Greqi, Ankaraja: Kapitull të ri marrëdhëniesh

schedule16:30 - 1 Shtator, 2018

schedule 16:30 - 1 Shtator, 2018

E rrënuar ekonomikisht nga sanksionet financiare amerikane, Turqia vijon përpjekjet diplomatike për të përmirësuar marrëdhëniet me Europën. Apeli i fundit i është drejtuar Greqisë, me të cilën Ankaraja kërkon një kapitull të ri marrëdhëniesh dypalëshe.

Turqia ka bërë thirrje për nisjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet diplomatike me Greqinë, edhe pse e ka akuzuar sërish vendin fqinj se është kthyer në strehë për kriminelët turq. Ankaraja zyrtare i referohet rastit të 8 komandove turq që kanë kërkuar azil në Greqi pasi u arratisën me helikopter pas grushtit të shtetit të vitit 2016. Qeveria turke i konsideron ushtarakët kriminelë të përfshirë në përpjekjen për rrëzimin e presidentit Erdogan dhe i ka kërkuar Athinës që t’i dorëzojë ata.

Por deri më tani, gjykatat helene e kanë hedhur poshtë kërkesën. “Situata aktuale e marrëdhënieve dypalëshe nuk sjell asnjë përfitim për vendet tona. Ngritja e besimit është e rëndësishme, ndaj dhe duhet të hapim një kapitull të ri marrëdhëniesh”, ka deklaruar ministri i Jashtëm Mevlut Çavushoglu. Në një intervistë për numrin e së shtunës të gazetës “Ta Nea”, Çavushoglu ka nënvizuar se palët duhet të vijojnë bisedimet dypalëshe pa kushte. “Kjo është e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemet tona”, ka thënë shefi i diplomacisë turke.

Sa i takon rastit të komandove, ai ka akuzuar sistemin gjyqësor greke se ka vepruar ndesh me ligjin ndërkombëtar, duke lënë të lirë fajtorët dhe shkelur të drejtat e viktimave. “Ne mbetemi të vendosur në përpjekjet tona për t’u siguruar që përgjegjësit e grushtit të shtetit të ekstradohen dhe të përballen me drejtësinë në Turqi”, ka shtuar Çavushoglu. Rivalë historikë, dy vendet fqinje përplasen për një sërë çështjesh, më të rëndësishmet prej të cilave janë Qiproja i ndarë etnikisht dhe të drejtat territoriale në detin Egje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!