Pasojat nga termeti po ndihen edhe në sektorin e turizmit. Aktualisht shitjet janë 20 për qind më të ulta se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Kështu deklaroi në studion e Abc News, Rrahman Kasa, kreu i Unionit Turistik Shqiptar. Në intervistën me gazetarin Endri Xhafo ai tha se sektori i hotelerisë funksionon me dy lloj kontratash, kontrata e garancisë kur agjencitë e huaja bllokojnë hotelet dhe rezervimet e hapura, të cilat kanë 20 për qind më pak shitje.
Ai tha se agjencitë e huaja kanë njoftuar se disa prej klienteve kanë anuluar rezervimet nga gjendja e krijuar pas termetit në Shqipëri, por gjithsesi shpreson se kjo do të rikuperohet në muajt në vazhdim, deri në Maj kur nis zyrtarisht sezoni veror.
Po kështu ai foli edhe për qytetarët që janë strehuar në hotele pasi humbën shtëpitë më 26 Nëntor. Kasa tha se janë dakordësuar me qeverinë që deri në fund të janarit apo fillim të shkurtit, ata të lënë hotelet. Sipas tij kostoja e akomodimit është e lartë. Pronarët e hoteleve kanë kërkuar nga qeveria një pagesë prej 3500 lek/dita për person, por qeveria u ka dhënë vetëm 2000 lekë për person.
Sipas tij, 40 hotelet ku qendrojnë të pastrehët kanë kosto të lartë për akomodimin e tyre, ndaj kërkojnë nga qeveria disa lehtësi fikskale, në mënyrë që të rikuperohen përpara sezonit. “Për të përballuar koston që kanë realisht këto hotele, qeveria duhet të marrë disa masa, lehtësi fiskale. Të mos iu llogaritet taksa e tatim-fitimit, tu paguhen faturat e energjisë elektrike, ujit, etj”, u shpreh Kasa.
Sipas tij vendi unë ka kapacitete për të mirëpritur rreth 10 milionë turistë, ndërsa aktualisht vizitojnë vendin tonë rreth 5-6 milionë turistë. /abcnews.al