Kryeministri Edi Rama tha gjatë konferencës për shtyp me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan se volumi tregtar mes dy vendeve duhet të kalojë shifrën e 1 miliardë eurove.
“Kemi bërë progres dhe jemi vullnet-plotë për të bërë edhe më shumë progres në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë. Jam shumë i kënaqur zoti president, që vitin e shkuar, përveçse Shqipëria arriti një numër rekord, mbi 10 milionë turistë, numri i turistëve nga Turqia u rrit me 30% dhe ne shohim një potencial shumë të madh edhe në këtë aspekt. Unë jam i bindur që ju nuk mërziteni kur turistët turq vijnë në Shqipëri dhe nuk shkojnë në Antalya dhe jam i sigurt që ministri juaj i Turizmit do të nxisë investimet në fushën e turizmit pasi edhe këtu Turqia ka krijuar një nivel ekselence dhe patjetër që për ne investimet turke janë të mirëseardhura. Kemi arritur në shifrën e 3,7 miliardë eurove, por siç e nënvizuat edhe juve në takimin e Këshillit të Lartë Strategjik, potenciali është për shumë më tepër, për të mos folur pastaj për volumin tregtar që me çdo kush ne duhet ta ngremë në të paktën mbi 1 miliardë euro dhe këtu tani do ishte mirë që t’ju propozoja të vinim një bast që ju të futeshit në sedër edhe ne t’ia dilnim kësaj, por bastet në Turqi vazhdojnë të jenë të ndaluara. Faleminderit shumë për lejet e drejtimit që ju i miratuat dhe tani shqiptarët do të mund të lëvizin lirisht me automjetet e tyre, me lejet e drejtimit. Në këtë rast na i miratuat pas Gjermanisë, por e mirëkuptojmë vonesën.”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se Erdogan ka një fokus të shtuar në rajonin e Ballkanit dhe kryesisht në dialogun mes Kosovës e Serbisë. Ai foli gjithashtu edhe për Gazën ku shprehu nevojën për armëpushim të menjëhershëm dhe krijimin e dy shteteve me garante vendet e rajonit.
“Përtej të gjitha këtyre, si gjithmonë ka qenë nder, privilegj, kënaqësi të dëgjoja Presidentin për opinionet e tij mbi rajonin, por edhe mbi situatën në zonat e konflikteve që kanë trazuar gjithë botën. Si gjithmonë, e kam gjetur Presidentin të interesuar me gjithë zemër për ecurinë e rajonit tonë, për ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe për dëshirën e tij që progresi dhe paqja në rajon të jenë çdo ditë e më të forta. Kemi ndarë me Presidentin edhe opinionet për konfliktin në Ukrainë. E kam informuar që në ditët e ardhshme në Tiranë se bashku me presidentin Zelensky ne do të zhvillojmë një samit të vendeve të Europës Juglindore ku dhe Turqia është e ftuar dhe jam mirënjohës që pavarësisht agjendës së mbi ngarkuar dhe pamundësisë për të qenë fizikisht në Tiranë, Presidenti ka pranuar me shumë kënaqësi që ta adresojë samitin përmes një lidhjeje direkte nga zyra e tij me një mesazh.
Ndajmë, nuk diskutohet, dhimbjen dhe shqetësimin për atë që po ndodh në Gaza. Ne jemi të bindur që është koha për një armëpushim i cili duhet lidhur me lirimin e pengjeve dhe patjetër duhet garantuar në këndvështrimin tonë nga një forcë e përbashkët e pesë vendeve të Lindjes së Mesme dhe Turqisë. Për ne, unë e kam ndarë me presidentin, Turqia është një aktor i pazëvendësueshëm në garantimin e të nesërmes për Gazën dhe për Izraelin vetë, së bashku me 5 vendet e tjera, Arabinë Saudite, Katarin, Emiratet e Bashkuara, Jordaninë dhe Egjiptin. Natyrisht nëse ne ndajmë të njëjtën pikëpamje për domosdoshmërinë e dy shteteve kjo zgjidhje kërkon garancitë e veta dhe pa diskutim që një bashkim forcash i vendeve arabe me Turqinë në kushtet kur nevoja për garanci dhe për rikrijimin e një besimi pas masakrës së ndodhur ndaj njerëzve të pafajshëm në Izrael dhe pastaj i gjithë këtyre shkatërrimeve që kanë ndodhur është kaq e madhe saqë pa të do të jetë e pamundur që të ketë çfarëdolloj kthimi tek arsyeja.”, shtoi Rama./abcnews.al