Turistët e huaj në Berat: Duam të shikojmë si jetojnë shqiptarët pas diktaturës

schedule16:40 - 17 Korrik, 2018

schedule 16:40 - 17 Korrik, 2018

Berati është një ndër qytetet më të vizituar nga turistët e huaj. Kureshtja e tyre lidhet me jetën e vendasve në periudhën pas regjimit komunist.

Kanë ardhur në Shqipëri për të parë se si jetojnë njerëzit pas diktaturës. Ndalesën e parë e bënë në Berat. Lagjet “Mangalem” “Gorricë” dhe “Kala” tashmë në UNESCO po joshin shumë turistë nga vendet e botës. Kryesisht në këtë Korrik janë spanjollët më të interesuar.

“Ne kishim dëgjuar për natyrën e bukur të Shqipërisë për malet për detin Jon. Mosha jonë e njeh historinë që ka kaluar Shqipëria ne regjimin  komunist. Dëshironim të shikonim sesi njerëzit jetojne pas kësaj periudhe”, tha për ABC News një turist.

Vetëm për këtë sezon, autoritetet vendore përllogarisin që Berati të vizitohet nga më shumë se 150 mijë turistë.

Por ky qytet frekuentohet në çdo stinë. Në gjashtë mujorin e parë të vitit ishin 60 mijë vizitorë të huaj që u ngjitën në kala. Akomodimet e reja dhe shërbimet cilësore po lenë pas pamjen gri të Beratit.

“Njerëzit janë mikëpritës në Berat. Na ka pëlqyer shumë ky qytet, është një mrekulli. Ne do t’u sugjerojmë dhe të tjerëve  ta vizitojnë këtë qytet kaq të bukur”.

Kryetari i Bashkisë, Petrit Sina, thotë se prioritet i është dhënë pastrimit të qytetit dhe furnizimit me ujë të pijshëm, kryesisht në lagjet muzeale.

Por në Berat ka shumë për t’u bërë. Dhe pse ndoshta është nga qytetet më të njohura shqiptare në botë, vizitorët nuk gjejnë aty atë çfarë duhet. Ata joshen nga historia, nga e kaluara e një vendi, por jo nga shërbimi apo jeta mes një e mbi një dritareve./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!