ITALI- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama këtë të diel do vijojë turin e takimeve me shqiptarët, që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit.
Pas Greqisë, destinacioni i radhës i Ramës në takim me Diasporën është vendi fqinj, Italia.
Nga Aeroporti i Rinasit, para fluturimit drejt vendit fqinj, Rama takimin me shqiptarët në Itali e cilëson si një “valle të dytë kuqezi në Europë”.
“Dhe nga Rinasi ku po nisemi për vallen e dytë kuqezi në Europë, me shqiptarët e Italisë që sipas kërkesës së tyre do t’i mikpresim në një pallat sporti edhe më të madh se në Athinë, me shpresën që askush nuk do të mbetet pa gjetur vend siç fatkeqësisht na ndodhi në Greqi, ju uroj të gjithëve një të diel sa më të mbarë”, shkruan Rama në Facebook.
Sipas njoftimit, takimi do të fillojë rreth orës 11:00 në pallatin e sportit në “Busto Arsizio”, afër qytetit e Milanos, ndërsa pritet një numër i madh pjesëmarrësish.
Në tubimin e Greqisë, i cili çeli siparin e turit të takimeve me Diasporën shqiptare morë pjesë rreth 20 mijë shqiptarë. Kryeministri pritet të takohet dhe me shqiptarë që jetojnë e punojnë në Londër e Dyseldorf/ n.m.abcnews.al