Turi i Ramës në Ballkan, Lekaj: Përpjekje vëllazërore dhe politike për të ndihmuar Kosovën, Kurti tenton të “luftojë me botën”

schedule16:43 - 4 Korrik, 2023

schedule 16:43 - 4 Korrik, 2023

 

Deputeti i AAK, Pal Lekaj i ftuar në një lidhje “skype” me emisionin “Ballkan Update” në ABC News ndër të tjera foli edhe për turin e kryeministrit Rama në Ballkan, me vizitën e parë që do ta zhvillojë në Prishtinë.

Lekaj tha se kjo është një iniciativë e mirë e komunikimi dhe bashkëpunimit në këtë kohë të vështirë për Kosovën duke e parë këtë si një përpjekje vëllazërore dhe politike që Kosova të dalë nga kjo vështirësi.

“Sa i përket iniciativës së Ramës, mendoj që është një iniciativë e mirë e komunikimit dhe bashkëpunimit, në këtë kohë të vështirë për Kosovën. Përpjekje vëllazërore dhe politike të Ramës, që të dalim nga kjo situatë.

Sa i përket Ballkanit të Hapur, ne si AAK kemi qenë jo pro. Sepse Serbia që ka qenë pjesë e këtij projekti nuk  e njeh Kosovën.

Sa i përket Procesit të Berlinit,  Kosova e përkrah fuqishëm dhe shpresoj që Kurti dhe Osmani do të marrin këshillat e Ramës, si këshilla të mira që duhet të pranohen” tha Lekaj.

Në lidhje me ndërprerjen e fondeve nga BE për Kosovën, deputeti i AAK tha se këto masa duhet të jenë një shqetësim i madh i qeverisë, pasi është dënim për qytetarët e Kosovës, për shkak të veprimeve të kryeministrit Kurti.

Ai shton se AAK e kishte paralajmëruar një gjë të tillë, por ra në vesh të shurdhët të një kryeministri që tenton të luftojë me botën dhe me aleatët e tij.

Në lidhje me masat, Lekaj shton se është i befasuar që BE ka sanksionuar vetëm Kosovën dhe jo Serbinë.

“Këto masa ndëshkuese për Kosovën duhet të jenë shqetësim, së pari i qeverisë, por është dënim për qytetarët të Kosovës për shkak të veprimeve të pamatura të Kurtit.

Ne e kemi paralajmëruar një gjë të tillë, por ka rënë vesh të shurdhët të një kryeministri që tenton të luftojë me tërë botën, e sidomos me aleatët tanë.

Ne kemi thënë që ligjshmëria është në anën tonë, por është zgjidhje politike që kryeministri jonë po ngatërron dhe po gabon në veprime, duke u ndëshkuar me këto masa ndëshkuese.

Këtë duhet ta ndryshojmë sa më parë. Të kthehen raportet që kemi pas dhe i kemi ndërtuar ndër vite.

Më çudit fakti që me këto masa ndëshkuese nuk është ndëshkuar Serbia. Kjo falë atyre veprimeve  të pakoordinuara me faktorin ndërkombëtar nga qeveria Kurti” u shpreh ai.

Sa i përket vendimeve të opozitës, Lekaj tha se ende nuk ka një harmoni si front opozitar, duke shtuar se veprimet e fundit e LDK dhe PDK kanë qenë të pakoordinuara me AAK, ndërsa kjo e fundit do të mbledhë kryesinë nesër dhe do të vendosë për veprimet që do të ndërmarrë në vazhdim.

“Ende nuk i kemi harmonizuar të gjitha veprimet si front opozitar. Në ditët në vijim do të shohim. Veprimet e LDK dhe PDK janë të pakoordinuara me AAK, mocioni ka ngel aty edhe pse është një veprim demokratik.

Ne e kemi ndërmarrë si iniciativë para se të njoftoheshin masat, për të tërhequr vëmendjen e qeverisë që po gabon.

Ne nesër kemi kryesinë e AAK dhe do të vendosim për veprimet që do të ndërmarrim në vazhdim” përfundoi Lekaj.r.t/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!