Turi i llogaridhënies/ Ahmetaj në Divjakë: 93 milionë euro për bujqësinë

schedule16:37 - 20 Maj, 2018

schedule 16:37 - 20 Maj, 2018

Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj në vijim të turit të llogaridhënies publike u ndal në Grabian dhe Gradishtë të Bashkisë Divjakë. Ahmetaj veçoi fondin prej 93 milionë eurosh në mbështetje të bujqësisë, e cila, sipas tij, është më e larta në 27 vite.

Politikat në mbështetje të fermerëve dhe qasja që ka qeveria “Rama” për sektorin bujqësor ishin çështjet që trajtoi Ministri i Financave dhe Ekonomisë Arben Ahmetaj gjatë takimeve në kuadër të Turit të llogaridhënies publike në njësitë Grabian dhe Gradishtë të Bashkisë Divjakë.

Në mënyrë të veçantë Ahmetaj u ndal tek mbështetja për bujqësinë, sektori kryesor për zhvillimin e kësaj zone.

“Mbani mënd kur Sali Berisha ju thoshte “Kemi TVSH 6% dhe do t’ju rimbursohet vetëm 6%?”

Por cila ishte e vërteta? E vërteta ishte që ju nuk morët asnjë lek. Zero. Jo një lek, apo dy lekë, zero! Ka qënë iniciativa e Kryeministrit për ta bërë TVSH 20%. Është e vështirë për buxhetin e shtetit, por është shumë e rëndësishme për ju. Sepse ju sot si fermerë, kur keni NIPT-in, keni mundësinë që të rimbursoheni me 20%; 20% të të gjithë autofaturës që bëhët nëpërmjet grumbulluesve. E dini se sa kemi rimbursuar vitin e kaluar? 22 milionë dollarë. Janë 22 milionë dollarë që nuk i kishin dikur fermerët por sot i kanë, për shkak të politikës së qeverisë”.

Një tjetër moment i bisedës së Ahmetaj ishte dhe mbështetja për bujqësinë, që sipas tij, për vitin  2018 është realisht më e larta në 27 vite.

“Janë 26 milionë dollarë, pra afërsisht 22 milionë euro vetëm nga buxheti i shtetit për mbështetjen tuaj. Ndërkohë, fillon shumë shpejt projekti i Komisionit Europian IPARD dhe kjo është zona që është më shumë e prirur për të përfituar, qoftë si fermerë por qoftë dhe si bashkime bujqësore. E gjithë shuma, së bashku me kontributin e buxhetit të shtetit, shkon në 93 milionë euro”.

Në takim morën pjesë edhe deputeti i zonës, Erjon Brace, i cili adresoi disa shqetësime të komunitetit që lidhen me rritjen e eficencës së skemës së rimbursimit në favor të fermerëve, ndarjen e zyrës së Hipotekës për bashkinë Divjakë nga ajo e Bashkisë Lushnje, apo edhe për pronësinë e tokave bujqësore. /abcnews.al