Prokuroria ka ngritur 3 akuza për 6 të arrestuarit e protestës së 21 marsit. Burime për ABC News nga organi i akuzës bënë me dije se do t’i kërkohet gjykatës që të caktohet masa shtrënguese arrest me burg. 6 të arrestuarit akuzohen për “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Prokuroria e Tiranës do t’i kërkojë gjykatës masën e sigurisë “Arrest në burg” për 6 personat e arrestuar për veprime të dhunshme mbi institucionet Kushtetuese, mbi Policinë dhe për shkatërrimin e pronës gjatë zhvillimit të protestës së opozitës nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, më 21 Mars para parlamentit. Burime për ABC News shprehen se masa shtrënguese që do të kërkohet është e bazuar nga pamjet filmike dhe raport shërbimeve, si dhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor.
I njëjti burim theksoi faktin që këta shtetas, jo vetëm qe nuk u janë bindur forcave të rendit, por kanë nxitur turmën për të hapur kordonin e policisë përpara parlamentit. Numri i personave të arrestuar mund të rritet pasi hetimet vazhdojnë. Në fundjavë, pritet që të arrestuarit për kundërshtim të forcave policore, të dalin para gjykatës për t’u njohur me akuzat dhe ku do t’u caktohet masa e sigurisë.
6 të arrestuarit akuzohen për konsumimin e elementëve të veprave penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike” . Ndërkohë gjatë janë proceduar 29 persona në total për aktet e dhunës në protestën e 21 Marsit të zhvilluar nga opozita. Janë proceduar në gjendje të lirë dhe 17 persona të tjerë, ndërsa 6 shtetas janë shpallur në kërkim. Grupe pune për identifikimin e personave që kanë shkaktuan trazira janë ngritur edhe nga policitë e rretheve.
I proceduar penalisht është edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, si organizator i protestës. Bardhi ka njoftuar policinë për të zhvilluar protestën para parlamentit dhe jo para institucioneve të tjera kushtetuese. Protesta e 21 Marsit u zhvendos nga parlamenti per tek Drejtoria e Policisë së Tiranës për shkak të shoqërimeve të ndryshme që bëri policia gjatë zhvillimit të protestës. /abcnews.al