Tryeza e reformës zgjedhore, ambasada e SHBA: Basha tregoi udhëheqësi

schedule17:00 - 25 Shtator, 2019

schedule 17:00 - 25 Shtator, 2019

Një sërë reagimesh kanë ardhur nga selitë më të rëndësishme diplomatike në vend për pjesëmarrjen e opozitës në tryezën e reformës zgjedhore. Mesazhi i përbashkët që i është përcjellë palëve politike në vend është rëndësia që ka dialogu gjithpërfshirës për realizimin e kësaj reforme.

Ambasada amerikane ka reaguar për tryezën mbi reformën zgjedhore. Në një deklaratë zyrtare vlerësohet qëndrimi i kryedemokratit Lulzim Bashës për mosbojkot të tryezës si një akt udhëheheqësie nga kreu i PD.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e partive opozitare për të dërguar përfaqësues në konferencën për reformën zgjedhore bashkërenduar nga parlamenti dhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri. Ne përshëndesim Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha që thirri një takim të opozitës. Përpjekjet e tij demonstrojnë udhëheqësi të vërtetë mbi një çështje thelbësore për forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike të Shqipërisë.

Shtetet e Bashkuara  thonë se mbështesin miratimin e reformave të nxitura nga ekspertët zgjedhorë të OSBE/ODIHR në mënyrë që Shqipëria të mund të zhvillojë zgjedhje që janë të lira nga shtrëngimi, trysnia politike, dhe blerja e votes. Populli shqiptar nuk meriton asgjë më pak se sa kjo”, thuhet në deklaratën e ambasadës së SHBA në Shqipëri.

Edhe ambasadori i delegacionit të BE në Shqipëri e ka përshëndetur përmes një mesazhi në Tuiter angazhimin e krerëve të opozitës në tryezën e reformës zgjedhore të mundësuar nga OSBE.

“Duhet një dialog partiak gjithëpërfshirës për të përmbushur rekomandimet e ODIHR e tejkaluar situatën aktuale politike”, shkruan ambasadori Soreca.

Një reagim ka ardhur edhe nga ambasada gjermane në vendin tonë.  Për Ambasadorin :Tryeza e parë për reformën zgjedhore është një hap në drejtimin e duhur”

“Unë përshëndes faktin, që përfaqësues të qeverisë, të opozitës parlamentare dhe asaj jashtëparlamentare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ekspertë ulen në një tavolinë dhe këshillohen për zbatimin e rekomandimeve të ODIHR-it. Kjo tregon gatishmërinë, për të marrë përgjegjësi për të ardhmen e Shqipërisë. Përsa i përket ecurisë së mëtejshme të procesit të afrimit të Shqipërisë me BE-në, do të jetë thelbësore të zhvillohet një dialog me rezultate konkrete për kodin zgjedhor”.

Ndërsa ambasadori italian në një një takim të pushtetit vendor me përfaqësues të OKB, që u zhvillua në Gjirokastër ka ftuar partitë politike të ulen së bashku dhe të zgjidhin problemet që kanë, duke e vënë theksin tek reforma zgjedhore. /ABC News Albania 24/7

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!