Tryeza e reformës, Brahimllari: Nuk ka zgjidhje pa dialog

schedule18:46 - 26 Shtator, 2019

schedule 18:46 - 26 Shtator, 2019

Tryezën e OSBE-së për reformën zgjedhore, 9 kushtet e Gjermanisë për çeljen e negociatave, mundësia e negociatave të fshehta me Ramën dhe vijimi i aksionit opozitar janë diskutuar në studion e ABC News nga Sekretari i Përgjithshëm i LSI Endrit Brahimllari përballë Juli Xhokaxhiut.

Për sekretarin e përgjithshëm të LSI-së, tryeza për refomën zgjedhore nuk është moment feste, po përgjegjësie, pasi është një platformë që i jep njëherë e përgjithmonë zgjidhje problemit, ndërsa prania ndërkombëtare jep garanci.

“Prania ndërkombëtare është garanci se me Ramën nuk ka marrëveshje në shërbim të vendit, se ndërkombëtarët e kanë skanuar situatën në Shqipëri. Është një paltformë për të zgjidhur situatën

Ne kërkojmë zgjidhje afatgjatë. Sot LSI ka bërë sërish thirrje për dialog. Për ne rëndësi ka zgjidhja e krizës. Sot Shqipëria vuan për zgjedhje të lira e të ndershme. Kemi dy dosje penale që nuk hetohen”.

Sa u takon 9 kushteve të vëna nga Gjermania për çeljen e negociatave, Brahimllari thekson se kushtet janë për dialog, por është hera e parë që vjen një kusht për ligjshmërinë e zgjedhjeve.

“Kushtet janë për të pasur dialog mazhorancë-opozitë. Sa i përket ligjshmërisë së 30 qershorit dhe dënimi i vjedhësve të votave, është hera e parë që vjen një kusht për ligjshmërinë e zgjedhjeve dhe ky kusht zgjidhet mes palëve, nuk zgjidhen pa dialog politik mes palëve”.

I pyetur nëse ka negociata të fshehta me Ramën, Brahimllari i qëndron deklaratës së kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi se nuk do të ketë kurrë marrëveshje të LSI, pa qenë transparente.

“Kryetarja e LSI e ka bërë të qartë se nuk do të ketë kurrë marrëveshje të LSI pa qenë transparente. Nuk ka krisje brenda koalicionit. Sigurisht që ka ndryshim. LSI ka shërbyer si forcë politike që ka zgjidhur kriza në vend. Në këtë kuadër ne jemi një forcë pro dialogut dhe luajmë rol të rëndësishëm. Kryetarja e LSI e ka bërë të qartë që mua nuk më interesojnë emrat, por institucioni. Ka ardhur momenti që mos flitet për emra, por për institucione”.

Ndërsa i pyetur se si do të vijojë aksioni opozitar pas 18 tetorit dhe nëse do ketë protesta, Brahimllari thekson se LSI është e fokusuar te dialogu dhe zgjidhja e krizës.

“Të gjithë energjitë e LSI janë fokusuar te dialogu, për t’i dhënë zgjidhje jo vetëm krizës momentale por për t’i dhënë zgjidhje që në Shqipëri mos krijohen më kriza të tilla”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!