Trupat e NATO-s pritet të largohen nga Afganistani para 11 shtatorit

schedule15:27 - 14 Prill, 2021

schedule 15:27 - 14 Prill, 2021

Të 7,000 trupat e NATO-s, pritet të largohen nga Afganistani së bashku me forcat e SHBA, para 11 shtatorit, duke i dhënë fund dy dekadave të ndërhyrjes ushtarake në vend.

Planet e tërheqjes tani po diskutohen nga ministrat e jashtëm dhe të mbrojtjes së NATO-s në një takim virtual një ditë pasi SHBA tha se do të tërhiqte 2500 trupat e saj të mbetura me urdhër të Presidentit Joe Biden.

Antony Blinken, sekretari i shtetit i SHBA, duke arritur në selinë e NATO-s në Bruksel para takimit tha se ishte koha që aleanca ushtarake të linte vendin, mes frikës se talebanët mund të merrnin më pas pushtetin në Kabul.

“Unë jam këtu për të punuar ngushtë me aleatët tanë, me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, mbi parimin që ne kemi vendosur që nga fillimi: së bashku,” tha Blinken në një deklaratë televizive në selinë e NATO – s .

“Ne do të punojmë shumë ngushtë së bashku në muajt në vazhdim për një tërheqje të sigurt, të qëllimshme dhe të koordinuar të forcave tona nga Afganistani,” tha Blinken, duke qëndruar përkrah sekretarit të përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg.

Të martën, administrata e Biden tha se do të fillonte tërheqjen në maj dhe do të përfundonte gati 20 vjet pas sulmit në Qendrën Botërore të Tregtisë në Nju Jork që filloi “luftën e gjatë kundër terrorit”. Kërcënimi nga talebanët për në SHBA vlerësohet të jetë në një nivel ku një prani ushtarake nuk kërkohet më. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!