Trump-Xi, përpjekje për tejkalimin e mosmarrëveshjeve tregtare

schedule23:37 - 11 Tetor, 2018

schedule 23:37 - 11 Tetor, 2018

Donald Trump dhe presidenti kinez do të përpiqen të sheshojnë mosmarrëveshjet tregtare muajin e ardhshëm, kur pritet të zhvillojnë një takim kokë më kokë. Lajmi bëhet i ditur në një kohë kur Trump ka deklaruar se ka në dorë masa të tjera që mund të dëmtojnë më shumë ekonominë kineze.

Presidenti Donald Trump dhe homologu kinez Xi Jinping mund të zhvillojnë një takim dypalësh muajin e ardhshëm, në përpjekje për të tejkaluar mosmarrëveshjet tregtare mes tyre. Takimi mund të zhvillohet në kuadër të samitit të G20-s që mbahet në Argjentinë dhe këshilltari për ekonominë në Shtëpinë e Bardhë, Lerri Kudlou ka deklaruar se dy administratat janë në kontakt me njëra-tjetrën. Duke folur për kontestin me Kinën ditën e enjte, presidenti Trump ka deklaruar se mund të marrë masa të tjera që mund të dëmtojnë edhe më tej ekonominë kineze, nëse kjo e fundit merr masa reciproke. Muajin e kaluar Trump vendosi tarifa 200 miliardë dollarë tarifa për produktet kineze dhe Pekini u kundërpërgjigj duke vendosur 60 miliardë taksa për ato amerikane.

“Ka patur një impakt të fuqishëm. Ekonomia e tyre është dëmtuar ndjeshëm dhe unë kam shumë mjete të tjera për ta dëmtuar më tej”, ka thënë Trump. Ndërkohë, bizneset amerikane, të bashkuara në siglën “Tarifat dëmtojnë atdheun”, i janë drejtuar kreut të shtetit përmes një letre. Në të bëhet e ditur se tarifat e reja po u kushtojnë bizneseve dhe konsumatorëve amerikanë 1.4 miliardë dollarë në muaj. Në letër saktësohet se në Miçigan, një shtet ku gara elektorale e nëntorit pritet të jetë e ashpër, ka patur një trefishim të çmimeve; ndërsa në Illinois, Teksas dhe Virxhinian Perëndimore çmimet dhe tarifat janë dyfishuar.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!