Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka hedhur sërish dyshime mbi besueshmërinë e NATO-s, duke deklaruar se nuk është i bindur nëse aleatët do ta mbështesnin Uashingtonin, nëse Shtetet e Bashkuara do të kishin realisht nevojë për ndihmë ushtarake.
Në një postim në platformën Truth Social, Trump shkroi se SHBA-të “do ta ndihmojë gjithmonë NATO-n edhe nëse aleanca euro-atlantike nuk do e bëjë këtë, duke vënë në pikëpyetje parimin e solidaritetit brenda aleancës. Komentet erdhën vetëm një ditë pasi Shtëpia e Bardhë deklaroi se nuk po përjashton mundësinë e ndërhyrjes ushtarake për të siguruar kontrollin mbi Groenlandën, territor autonom i Danimarkës, e cila është anëtare e NATO-s.
Trump theksoi gjithashtu se, sipas tij, Rusia dhe Kina ‘nuk kanë asnjë frikë nga NATO pa Shtetet e Bashkuara’, duke shtuar se këto dy fuqi e respektojnë SHBA-në vetëm nën udhëheqjen e tij. Megjithatë, ai deklaroi se Uashingtoni do të vazhdojë t’i përmbushë detyrimet e tij ndaj aleancës, edhe nëse, sipas tij, nuk ka garanci për reciprocitet nga partnerët evropianë.
Presidenti amerikan mori merita për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga vendet anëtare të NATO-s, duke pretenduar se ai i ka detyruar aleatët të rrisin buxhetet ushtarake nga 2% në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ai akuzoi vendet evropiane më parë se nuk po paguanin pjesën e tyre, ndërsa SHBA-të po mbulonte shumicën e kostove të mbrojtjes.
Në realitet, vendet e NATO-s kanë rënë dakord në samitin e mbajtur në qershor në Hagë që objektivi i shpenzimeve të mbrojtjes të rritet në 5% të PBB-së deri në vitin 2035, një plan afatgjatë që ende kërkon miratim dhe zbatim të plotë nga të gjitha shtetet anëtare. Në të njëjtin postim, Trump kritikoi edhe Norvegjinë, vend anëtar i NATO-s, duke thënë se nuk i ka dhënë Çmimin Nobel për Paqe, pavarësisht pretendimit të tij se ka “përfunduar i vetëm tetë luftëra”. “Por kjo nuk ka rëndësi! Ajo që ka rëndësi është se kam shpëtuar miliona jetë”, shkroi Trump.
Deklaratat e Trump pritet të nxisin reagime të forta nga kryeqytetet evropiane, pasi vënë në pikëpyetje nenin 5 të traktatit të NATO-s, që parashikon se një sulm ndaj një vendi anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithë aleancës. Ky parim është themeli i sigurisë kolektive transatlantike që nga themelimi i NATO-s.
NATO u themelua në vitin 1949 si një aleancë ushtarake për mbrojtje kolektive, me qëllim kryesor frenimin e kërcënimeve ndaj vendeve anëtare. Neni 5 i traktatit është aktivizuar vetëm një herë, pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 kundër SHBA-së, kur aleatët u angazhuan të mbështesin Uashingtonin në luftën kundër terrorizmit.
Gjatë presidencës së tij, Trump ka qenë shpesh kritik ndaj NATO-s, duke akuzuar vendet evropiane se nuk kontribuojnë mjaftueshëm financiarisht për mbrojtjen e përbashkët dhe se mbështeten te fuqia ushtarake e SHBA-së. Këto qëndrime kanë shkaktuar tensione të vazhdueshme me aleatët, por njëkohësisht kanë shtyrë disa vende të rrisin gradualisht shpenzimet e mbrojtjes.
Debati për rolin e SHBA-së në NATO dhe për ndarjen e barrës financiare mbetet një nga çështjet më të ndjeshme në marrëdhëniet transatlantike, sidomos në një kontekst global me rritje tensionesh me Rusinë dhe Kinën.


