Kandidatët republikanë për president të Shteteve të Bashkuara, janë bashkuar për herë të parë të premten në një skenë në Ajoa.
Rivalët kryesorë, Donald Trump dhe Ron DeSantis, e kanë dominuar festën vjetore të republikanëve të ashtuquajtur Darka Lincoln.
Të 13 kandidatë i kanë pasur nga 10 minuta për të folur.
Sondazhet tregojnë se Trump udhëheq në garën e republikanëve për ta fituar nominimin e partisë dhe për të vazhduar garën për president.
Ai u ka thënë pjesëmarrësve se është kandidati i vetëm që mund t’i fitojë zgjedhjet e vitit të ardhshëm, dhe ka sugjeruar se kjo është arsyeja e vetme pse po përballet me padi civile dhe penale.Trump ka insistuar edhe muaj më parë se do të vazhdojë të garojë për president, edhe nëse dënohet nga autoritetet e drejtësisë.
Në darkë kanë marrë pjesë 1.200 persona dhe të gjithë konsiderohen me ndikim të madh në atë se kush do ta fitojë nominimin e republikanëve.
Ngjarja e së premtes vjen një ditë pas zgjerimit të akuzave kundër Trumpit, për mënyrën se si i ka menaxhuar dokumentet e klasifikuara, pasi është larguar nga Shtëpia e Bardhë.
Ai mund edhe të paditet në Uashington, nën dyshimet se ka bërë përpjekje që ta përmbysë rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, të cilat i ka fituar presidenti aktual, Joe Biden./rel