Trump pritet të emërojë kandidaten për në Gjykatën e Lartë

schedule23:46 - 26 Shtator, 2020

schedule 23:46 - 26 Shtator, 2020

Presidenti Donald Trump pritet të emërojë Amy Coney Barrett për të plotësuar vendin e lirë të Gjykatës së Lartë të mbetur bosh nga vdekja e gjykatëses liberale Ruth Bader Ginsburg, duke i dhënë atij një mundësi për ta bërë gjykatën më konservatore me më pak se gjashtë javë para zgjedhjeve presidenciale.

Media të shumta amerikane, përfshirë CNN-in dhe Nju Jork Tajmsin, cituan burime anonime të premten që thanë se presidenti Trump synon të shpallë emërimin e zonjës Barrett si zgjedhjen e tij të shtunën në orën 5 pasdite. Ata paralajmërojnë, megjithatë, se derisa të shpallet publikisht, ekziston gjithmonë mundësia që presidenti Trump mund të bëjë një ndryshim të minutës së fundit. Zëri i Amerikës nuk mund të konfirmojë njoftimet e mediave.

Presidenti Trump ka premtuar të emërojë një grua për të zëvendësuar gjykatësen Ginsburg, e cila vdiq javën e kaluar në moshën 87 vjeç. Barrett, një gjyqtare konservatore i Gjykatës së Apelit, ka qenë një kandidate për vendin e mbetur bosh së bashku me një tjetër gjyqtare të gjykatës së apelit, Barbara Lagoa. Të dyja janë emëruar nga presidenti Trump më herët në gjykatat federale të apelit.

Vendimi i presidentit për të caktuar një kandidate përpara garës së tij të nxehtë të rizgjedhjes me ish-nënpresidentin Joe Biden menjëherë shkaktoi një betejë të ashpër politike në Uashington, me udhëheqësit republikanë të Senatit që argumentuan se procesi i konfirmimit duhet të vazhdojë sa më shpejt që të jetë e mundur, ndërsa demokratët pretendojnë që emërimi duhet të vonohet derisa të dihet fituesi i zgjedhjeve presidenciale të nëntorit.

Në lojë është prirja politike e Gjykatës së Lartë, në të cilën caktohen gjyqtarë që shërbejnë për tërë jetën. Gjykata kishte një shumicë konservatore 5-4 para vdekjes së zonjës Ginsburg. Nëse konfirmohet një gjykatëse konservatore për të zëvendësuar zonjën Ginsburg, shumica konservatore mund të zhvendoset në 6-3.

Kushdo që zgjidhet për të plotësuar vendin bosh do të luajë rol në marrjen e vendimeve kryesore të Gjykatës së Lartë në vitet e ardhshme për një sërë çështjesh të rëndësishme, përfshirë të drejtat e abortit, kujdesin shëndetësor, ligjet e armëve, lirinë fetare, imigracionin dhe lirinë e fjalës./VOA/