Sondazh

Kupa e Botës, shkon:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Trump në 250-vjetorin e pavarësisë: Amerika është vendi i fituesve

schedule08:01 - 5 Korrik, 2026

schedule 08:01 - 5 Korrik, 2026

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shënuar 250-vjetorin e pavarësisë së tyre me një seri festimesh të mëdha në mbarë vendin, përfshirë fishekzjarrë, fluturime ajrore ceremoniale, koncerte dhe aktivitete publike, por edhe me ndërprerje për shkak të motit ekstrem, dhe debateve të forta politike, shkruan BBC.

Në qendër të festimeve ishte Uashingtoni, ku në “National Mall” u mbajt një nga eventet kryesore kombëtare.

Programi u ndërpre përkohësisht pas një stuhie të fuqishme me rrufe, e cila i detyroi autoritetet të evakuonin zonën për arsye sigurie.



Më vonë, aktiviteti rifilloi dhe u mbyll me një shfaqje fishekzjarrësh të përmasave të mëdha, e cila u konsiderua ndër më të mëdhatë në historinë e vendit.

Trump: “Ëndrra amerikane është kthyer”

Në skenën e “National Mall”, Donald Trump mbajti një fjalim të vonuar, përpara një turme të mbledhur pas përmirësimit të kushteve atmosferike.

Ai e nisi fjalimin duke iu referuar vonesave të shkaktuara nga moti i keq dhe rreziku i rrufeve, duke deklaruar se vendimi për ndërprerjen e përkohshme, ishte i domosdoshëm për sigurinë e publikut.

Në një moment, ai iu drejtua turmës duke thënë: “Nëse mendoni se kjo ishte e lehtë, nuk ishte”.

“Ëndrra amerikane është kthyer”, tha Trump në fjalimin e tij.

Ai theksoi kundërshtimin e komunizmit dhe ideologjive të majta.

Presidenti Trump e përdori fjalimin festiv edhe për mesazhe politike që i përsërit shpesh në fushatat e tij si, projektligjin “Save America Act”, ndryshimet në politikat e shtetësisë dhe mbështetjen për të drejtën për armëmbajtje sipas Kushtetutës amerikane.

Ai gjithashtu foli për politikën e jashtme dhe operacionet ushtarake, duke iu referuar ndërhyrjeve amerikane në Venezuelë dhe sulmeve ndaj forcave detare iraniane.

Theksi te historia dhe liria amerikane

Në pjesën kryesore të fjalimit, Trump u fokusua te historia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe 250-vjetori i pavarësisë, duke e përshkruar SHBA-në si një simbol të lirisë dhe fuqisë kombëtare.

Ai theksoi se themelet kryesore të shtetit amerikan janë: liria e fjalës, liria fetare dhe barazia para ligjit.

Sipas tij, këto vlera e bëjnë SHBA-në të ndryshme dhe më të veçantë se vendet e tjera në botë.

Sulmi ndaj komunizmit dhe mesazhet politike

Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua kritikave ndaj komunizmit.

Trump e përshkroi atë, si një sistem të dështuar dhe e krahasoi me një rrezik që duhet “ndalur që në fillim”, duke e quajtur të papajtueshëm me sistemin amerikan.

Ai deklaroi se SHBA-ja nuk do të lejojë që ideologji të tilla të kenë ndikim në vend.

Trump theksoi se Amerika do të mbetet një vend i lirë dhe i fortë, duke e lidhur 250-vjetorin me një mesazh uniteti, krenarie dhe vazhdimësie historike.

Në përfundim të fjalimit, ai deklaroi: “Ky është vetëm agimi i epokës së artë të Amerikës” dhe shtoi se fati i vendit është “i shkruar nga Zoti”.

Festime në gjithë vendin

Përvjetori u shënua me aktivitete në të gjitha shtetet amerikane. Qytete të ndryshme organizuan koncerte, parada, shfaqje ajrore dhe evente publike.

Në Nju Jork, Los Anxheles dhe Filadelfia u mbajtën koncerte të mëdha me artistë të njohur, ndërsa në Filadelfia – e konsideruar si “vendlindja e SHBA-së” – u zhvilluan edhe ceremoni historike pranë “Independence Hall”, ku në vitin 1776 u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë.

Në kuadër të festimeve u organizuan edhe fluturime ajrore ceremoniale, përfshirë mbi Filadelfia, si dhe aktivitete simbolike që lidhen me historinë e vendit.

Në disa zona u mbajtën edhe ceremoni natyralizimi, ku qindra persona nga vende të ndryshme të botës, morën shtetësinë amerikane dhe bënë betimin për respektimin e Kushtetutës së SHBA-së.

Nxehtësi ekstreme dhe stuhi në shumë shtete

Festimet u zhvilluan në kushte të vështira atmosferike në shumë pjesë të vendit.

Një valë e fortë të nxehti përfshiu bregun lindor të SHBA-së për disa ditë me radhë, duke sjellë temperatura deri në rreth 42°C në disa zona si Maryland, Delaware dhe Nju Xhersi.

Paralelisht, në disa shtete u regjistruan stuhi të forta me erëra të fuqishme, të cilat shkaktuan ndërprerje të mëdha të energjisë elektrike.

Sipas të dhënave të operatorëve të rrjetit, qindra mijëra familje mbetën pa energji në shtete si Pensilvania, Nju Jork, Ohio dhe Illinois.

Për arsye sigurie, disa evente u anuluan ose u shtynë, përfshirë paradën e planifikuar nga Shërbimi i Parkut Kombëtar në Uashington.

Në “National Mall”, gjatë ditës, vullnetarët shpërndanë ujë, për qytetarët për shkak të temperaturave ekstreme, ndërsa më vonë stuhitë sollën ndërprerjen e përkohshme të aktivitetit.

Aktivitete të tjera në mbarë vendin

Festimet përfshinë edhe aktivitete të tjera tradicionale dhe simbolike:

  • Koncerte në sheshe të mëdha publike, përfshirë “Times Square” në Nju Jork dhe qytete të tjera të mëdha
  • Ngjarje sportive dhe gara tradicionale, përfshirë konkursin e ngrënies së hot-dogëve në Nju Jork, ku Joey Chestnut fitoi titullin e 18-të
  • Ceremoni për qytetarë të rinj amerikanë në disa shtete, ku pjesëmarrës nga dhjetëra vende të botës morën shtetësinë amerikane
  • Fluturime ceremoniale ajrore dhe aktivitete të ndryshme historike në qytete të ndryshme

Në Filadelfia, qyteti ku u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë në 1776, u mbajtën aktivitete të veçanta historike dhe simbolike, për të kujtuar momentin themelor të shtetit amerikan.

Mesazhe nga ish-presidentët amerikanë

Katër ish-presidentët e gjallë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhanë mesazhe për përvjetorin:

Joe Biden theksoi se ideali i barazisë mbetet ende një proces i papërfunduar dhe se puna për të forcuar demokracinë duhet të vazhdojë.

Barack Obama deklaroi se çdo brez ka përgjegjësinë të përmirësojë vendin dhe të mbrojë parimet themelore të tij.

George W. Bush bëri thirrje që qytetarët të jenë aktivë dhe të angazhuar në jetën demokratike të vendit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!