Presidenti i SHBA, Donald Trump tha të hënën se lufta me Iranin mund të vazhdojë për dy ose tre javë të tjera.
“Koha nuk është thelbësore për ne”, tha Trump në një intervistë telefonike me prezantuesin e radios Hugh Hewitt, duke refuzuar të thoshte nëse armëpushimi me Iranin kishte përfunduar pas njoftimeve për zjarr iranian drejt Emirateve të Bashkuara Arabe.
I pyetur nëse armiqësitë e së hënës sinjalizonin apo jo një konflikt të ripërtërirë, Trumpi tha se “Në një mënyrë ose në një tjetër, ne fitojmë”.
“Ose bëjmë marrëveshjen e duhur ose fitojmë shumë lehtë”, tha ai duke shtuar se “Nga pikëpamja ushtarake, ne e kemi fituar tashmë këtë. E dini, më keni dëgjuar ta them një milion herë dhe njerëz të tjerë e thonë: Ata kishin 159 anije, Hugh. Tani, ata nuk kanë asnjë. Janë të gjitha në fund të detit”.
“SHBA-ja të hënën shkatërroi tetë anije të vogla dhe të shpejta të armatosura me mitralozë”, njoftoi Trump i cila tha se “Do të shohim çfarë ndodh”.
Trump theksoi gjithashtu se SHBA-ja ka kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit ndërsa paralajmëroi për rreziqet e mundshme për trafikun detar.
“E vetmja gjë që nuk mund ta ndalosh është dikush që do të dojë të hedhë një minë të vogël… dhe rastësisht zotëron një anije miliarda dollarëshe”, tha ai ndërsa theksoi që “Nuk jam i sigurt nëse do të jesh i emocionuar që do ta lundrosh atë”.
Ai tha se populli iranian “po merr disa armë” për të luftuar qeverinë në Teheran, duke shtuar se “sapo të kenë armë, do të luftojnë po aq mirë sa kushdo tjetër”.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme kundër Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar hakmarrje nga Teherani kundër Izraelit dhe aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik si dhe ndërprerje në Ngushticën e Hormuzit.
Një armëpushim hyri në fuqi më 8 prill përmes ndërmjetësimit pakistanez, por bisedimet në Islamabad nuk arritën të prodhonin marrëveshje të qëndrueshme. Armëpushimi u zgjat më vonë nga presidenti amerikan Donald Trump pa afat të caktuar.


