Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se nuk beson se Irani është ende i gatshëm të arrijë një marrëveshje që do t’i japë fund konfliktit, ndërsa Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë hapat e mëtejshëm.
Trump tha gjithashtu se SHBA-ja ka “kontrollin e plotë” të zonës përreth Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve ujore më të rëndësishme për transportin global të energjisë. Ngushtica është mbyllur që prej nisjes së konfliktit në fund të shkurtit.
“Do të donin shumë të arrinin një marrëveshje, por, sipas mendimit tim, nuk janë të gatshëm të bëjnë marrëveshjen e duhur”, u tha Trump gazetarëve më 21 gusht, kur u pyet nëse opsionet ushtarake të SHBA-së ndaj Iranit ishin të kufizuara.
Kontrolli dhe rihapja e Ngushticës së Hormuzit mbeten ndër çështjet kryesore në konflikt dhe një nga pengesat për arritjen e një marrëveshjeje mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Irani pretendon se ka kontrollin e plotë të rrugës ujore dhe ka deklaruar se kalimi do të lejohet vetëm pasi SHBA-ja të përmbushë disa kushte.
Deklaratat e Trump erdhën pasi Omani njoftoi se ministrat e Jashtëm të Iranit dhe Omanit kishin diskutuar mundësinë e rifillimit të negociatave për lundrimin përmes Ngushticës së Hormuzit.


