Trump “braktis” Amerikën Latine për Sirinë

schedule22:53 - 10 Prill, 2018

schedule 22:53 - 10 Prill, 2018

Donald Trump ka anuluar turin e tij zyrtar në vendet e Amerikës Latine, për të diskutuar mbi opsionet ushtarake për Sirinë me këshilltarët e tij. Lidhur me këtë çështje, Presidenti amerikan ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministren britanike, Theresa May.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka anuluar vizitën e parë zyrtare në Amerikën Latine për t’u fokusuar tek çështja e Sirisë, pas sulmit me substanca të dyshuara fundjavën e kaluar. Përmes një njoftimi zyrtar, Shtëpia e Bardhë ka bërë me dije se kreu i shtetit do të qëndrojë në Uashington për të shqyrtuar përgjigjen amerikane ndaj Sirisë.

Zëvendëspresidenti Mike Pence do të udhëtojë në vend të Trump në Amerikën Latine, një tur që do të nisë në Peru në kuadër të Samitit të Amerikave. Sa i takon Sirisë, Trump është zotuar për një përgjigje të fortë dhe ka folur për opsione të ndryshme ushtarake.

Të martën, ai zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministren britanike Theresa May, me të cilën u shpreh njëzëri se sulmi i së dielës në Duma ishte “tërësisht i dënueshëm” dhe se komuniteti ndërkombëtar duhet të reagojë për të garantuar parandalimin e përdorimit të armëve kimike në mbarë botën.

“Ata ranë dakord që të vazhdojnë bashkëpunimin dypalësh dhe atë me partnerët e tjerë ndërkombëtarë, për t’u siguruar që autorët e atij sulmi të mbajnë përgjegjësi”, thuhet në një komunikatë të shpërndarë nga zyra e May. Më herët, shefja e qeverisë britanike kishte zhvilluar një telefonatë me Presidentin francez, Emmanuel Macron, lidhur me të njëjtën çështje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!