Donald Trump u është rikthyer deklaratave provokuese. Presidenti amerikan ka sulmuar prokurorët e çështjes “Russiagate”, që po gjykojnë ish-këshilltarin e tij. Trump ka thënë se edhe pse nuk ka patur, bashkëpunimi me Rusinë nuk është krim.
Presidenti Donald Trump u është rikthyer sulmeve ndaj grupit të prokurorëve që po hetojnë çështjen e njohur “Russiagate”. Përmes profilit të tij në Twitter, Trump ka deklaruar se stafi i tij elektoral nuk bashkëpunoi me Moskën për të arritur fitoren, por edhe bashkëpunimi, sipas tij, nuk është krim.
“Bashkëpunimi nuk është krim, por kjo nuk ka rëndësi sepse bashkëpunim nuk ka pasur, përveç atij të shtrembër mes Hillary Clinton dhe demokratëve”, ka thënë Trump.
Deklarata e tij vjen të njëjtën ditë kur ish-këshilltari i tij elektoral Paul Manafort është shfaqur në gjykatë, për t’u përballur me akuzat për evazion fiskal dhe mashtrim të institucioneve.
Ndonëse procesi ka në fokus akuzat për krime financiare, ai shumë shpejt mund të devijojë në një gjyq politik, për faktin se Manafort ishte shefi i fushatës së Trump për tre muaj dhe një nga personat që morën pjesë në takimin me avokaten ruse, që ofroi material kompromentues në dëm të rivales Hillary Clinton.
Për të procesuar Manafort është zgjedhur një juri e përbërë nga 12 anëtarë, 6 burra dhe 6 gra, si dhe 4 vartës. Manafort akuzohet se ka fshehur disa dhjetëra milionë dollarë të fituara gjatë kohës kur ka punuar si këshilltar politik në Ukrainë në llogari bankare “offshore”, si dhe për mashtrim të huadhënësve, të cilëve sipas prokurorëve u ka marrë 10 milionë dollarë./abcnews.al