TIRANË– Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump ka kërcënuar se do të vendosë tarifë 200 për qind për verërat dhe shampanjat franceze.
Paralajmërimi erdhi pas lajmit se presidenti francez Emmanuel Macron ka refuzuar t’i bashkohet iniciativës së tij për krijimin e “Bordi të Paqes”.
Më herët Trump vendosi tarifa të reja shtesë 10% ndaj 7 vendeve të Evropës, duke i paralajmëruar se mund te arrijnë në 25%.
Ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj, e ftuar në “Money Report” në ABC News, u shpreh se Donald Trump po tenton tëpërdorë tarifat, si instrument për të arritur disa qëllime politike dhe gjeopolitike, mes të cilave dhe marrja e Groernlandës.
Ajo theksoi se përballë një kërcënimi të tillë edhe Bashkimi Evropian nuk ka qëndruar pasiv, por krerët e unionit kanë paralajmëruar se do t’i kundërvihen përpjekjeve të presidenti amerikan.
Sipas saj, lufta tregtare mes dy tregjeve të mëdha do të sillte pasoja negative si për SHBA ashtu dhe për Bashkimin Evropian.
“Duke qenë se vendosja e tarifës ishte politikë, që i solli Donald Trump disa rezultate të prekshme, ai i referohet sërish tarifave duke synuar marrjen e Groenlandës. Ai po tenton të përdorë politikën e tarifave për të realizuar një benefit politik dhe gjeopolitik, për të zgjeruar territorin e SHBA.
BE ka menduar variantin e vet, që mos të jetë vetëm pjesa e negociatave, por edhe për t’iu kundërpërgjigjur. Lufta tregtare do t’i dëmtonte të dyja tregjet , si atë të Bashkimit Evropian dhe atë të SHBA”, tha ajo.
Këto përpjekje të Trump shtoi Nunaj kanë hedhur bazat për krijimin e një rendi të ri ekonomik, por gjithsesi mbetet ende herët për të folur mbi rezultate konkrete dhe të prekshme.
“Kemi një rrugëtimi, drejt një ekonomie nacionale. Nëse do flasim për rendin e ri botëror, ka nisur një zhvillim, por kjo duhet parë në vijimësi”, tha ajo./abcnews.al


