Te Barcelona po fillon revolucioni. Pas prezantimit të Ronald Koeman ditën e djeshme, sot klubi katalanas i ka bërë me dije Luis Suarezit se ai duhet të gjejë një klub të ri. Drejtuesit e Barçës e konsiderojnë të mbyllur rrugëtimin e uruguaianit, duke marrë parasysh moshën si dhe performancën e tij të dobët në sezonet e fundit.
Nëse vjen një ofertë e mirë në drejtim të tij, atëherë blaugranat janë të gatshëm ta shesin sulmuesin e renditur në vendin e tretë në historinë e klubit për sa i përket golave të shënuar. 33-vjeçari kërkon të qëndrojë ende në Barcelonë, pasi e konsideron veten të rëndësishëm dhe mund të kontriubojë sërish për ekipin.
Deri më tani, sipas mediave spanjolle oferta më e mirë ka ardhur nga Ajaxi. Holandezët kanë ofruar 15 milion euro për Suarezin. Gjithashtu edhe Juventusi ka shfaqur interes për shërbimet e tij, por ende nuk ka një ofertë konkrete. /abcnews.al